Kuvendi dhe Avokati i Popullit vizita monitoruese në burgje

Nënkomisioni parlamentar “Për të drejtat e njeriut” në bashkëpunim me institucionin e Avokatit të Popullit zhvilluan dy vizita monitoruese pranë institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale (në vijim “IEVP”) në Fushë-Krujë dhe Burrel. Qëllimi i vizitave ishte verifikimi i përmbushjes së rekomandimeve lidhur me respektimin e të drejtave të personave të privuar nga liria, të adresuara në Kuvendin e Shqipërisë nga Avokati i Popullit, dhe Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose Ndëshkimit Çnjerëzor ose Degradues (CPT).

Gjatë vizitave monitoruese, drejtuesit e institucioneve njohën anëtarët e nënkomisionit dhe të Avokatit të Popullit me masat e marra në përmbushje të rekomandimeve dhe për çështje që kanë nevojë  të adresohen në vijimësi. U vlerësua ulja e mbipopullimit, krijimi i një këndi lojërash për prindërimin në distancë dhe pasurimi i bibliotekës me 300 libra të dhuruara në burgun e Fushë Krujës. Lidhur me masat e marra në zbatim të rekomandimeve të Avokatit të Popullit dhe CPT për kushtet në IEVP Burrel, u konstatua ndërtimi i rrjetit të ri të furnizimit me ujë, ambjentet e reja të tualetit dhe ndërtimi i tualeteve në çdo dhomë, bërja funksionale e sistemit të ngrohjes dhe marrja e masave për paisje ngrohjeje ambientale, në raste emergjente. U vlerësua përshtatja e dy ambjenteve me qëllim edukimin social të të dënuarve, ambjente të investuara nga komunitetet fetare

Anëtarët e nënkomisionit “Për të drejtat e njeriut” dhe përfaqësuesit e Avokatit të Popullit panë nga afër kushtet e jetesës së të dënuarve, mjediset e takimit me familjarët, të ajrimit, të shërbimit mjekësor, guzhinën, si dhe mjediset e tjera në të dyja institucionet. Anëtarët e nënkomisionit vunë theksin tek nevoja e programeve sociale e profesionale për të dënuarit me qëllim integrimin e shpejtë të tyre në shoqëri, pas përfundimit të kryerjes së dënimit. Në të dy institucionet është mundësuar zhvillimi i kurseve në gjuhë të huaj, por jo kurse profesionale.

Në përmbyllje të vizitave, anëtarët vlerësuan punën në këto institucione duke inkuruajuar drejtuesit përkatës dhe stafin e institucioneve për të vazhduar më tej me realizimin e të gjitha rekomandimeve të Avokatit të Popullit dhe CPT-së. Në përfundim të vizitave monitoruese pranë IEVP-ve, nënkomisioni “Për të drejtat e njeriut” do të informojë komisionin “Për çështjet ligjore, administratën publike dhe të drejtat e njeriut” lidhur me gjendjen dhe problematikat në sistemin e institucioneve penitenciare dhe respektimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri si dhe do të ndjekë  në mënyrë sistematike përmbushjen e rekomandimeve.