Kryeministri Rama tallet, kurse opozita rri e falet!

Kryeministri Rama nuk rrëzohet dhe as nuk detyrohet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare vetëm me sulme në Facebook. Opozita duhet të nxjerrë popullin para kryeministrisë dhe populli duhet të vendosë fatin e Ramës. Nuk ikën Edi Rama nga frika e facebook-ut opozitar, pasi në këtë fushë ai është njësh dhe i sfidon. Edi Rama ikën me vrap kur shikon popullin që rrethon kryeministrinë.

Vendimi i Këshillit të Europës për të mos i hapur negociatat Shqipërisë është zhvillimi më i keq në procesin e integrimit të vendit. Sot Shqipëria nuk ka datë për negociatat dhe nuk dihet nëse do të duhen muaj apo vite derisa çështja e Shqipërisë të diskutohet edhe njëherë në instancat më të larta të BE. Dëmi që i është bërë vendit është i pallogaritshëm dhe sigurisht që ka përgjegjës konkretë.

Është e kotë të sulmojnë Francën apo Holandën. BE kërkoi plotësimin e standardeve dhe me apo pa veton e Francës, të gjithë e dimë që standardet me qeverinë “Rama” jo vetëm nuk janë arritur, por janë përkeqësuar. Që zhvillimet në Shqipëri, sidomos pas shkurtit të këtij viti, po shkojnë të gjitha për dreq nuk duhet ekspertizë ndërkombëtare për t’i kuptuar. Këtë e di çdo shqiptar që ka parë sesi brenda pak kohësh janë zhbërë gjithë parimet demokratike të një shteti. Është e kotë që për degradimin e shtetit nën pushtetin e Rilindjes dhe paaftësinë qeverisëse, të kërkojmë shpëtimin te qëndrimi i Francës. Problemet e BE-së nuk zgjidhen në Tiranë dhe justifikimi pas qëndrimeve brenda BE-së nuk e zhbën dramën e asaj që ka ndodhur me negociatat.

Por çfarë po ndodhë që nga e premtja, kur u zyrtarizua bllokimi i negociatave? Kryeministri Edi Rama dhe gjithë propaganda në shërbim të tij kanë zgjedhur të tallën rëndë edhe njëherë më shqiptarët. Argumentet qesharake mbi qëndrimin e Francës, teoritë konspirative mbi Albanofobinë dhe kapja pas citimeve të liderëve të BE-së janë gjella bajate që shqiptarët po hanë këto ditë nga qeveria.

Në mungesë të çdo argumenti normal, kryeministri Edi Rama postonte dje në Facebook deklaratat e krerëve të BE-së duke nisur nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, Presidenti i KE, Donalt Tusk dhe kryeministri i Italisë, Guseppe Conte. Të gjithë citimet që përdor Edi Ramës thonë se “Shqipëria meriton negociata dhe vendi i saj është në BE”. Në këto qëndrime nuk ka asgjë të kritikueshme, por duhen theksuar se të njëjtën gjë pothuajse ka thënë dhe presidenti i Francës; “vendi i Ballkanit Perendimor dhe Shqipërisë është në BE”. Pra, në planin afatgjatë asnjë vend i BE nuk është kundër Shqipërisë. Çështja është se negociatat u refuzuan se Shqipëria nuk është gati, pasi s’ka bërë reformat, ku krimi sundon, ku nuk ka parlament, ku pushtetet janë në dorën e Ramës dhe oligarkisë, ndaj këtë pjesë Edi Rama mundohet t’a fshijë në postimet e tij. BE thotë se nuk është problemi Shqipëria, por reformat që s’ka bërë qeveria, por për t’i shpëtuar përgjegjësisë në këtë dështim, Edi Rama ka vendosur të tallet edhe njëherë me shqiptarët duke mos pranuar asnjë faj apo dështim të tij.

Kryeministri Rama nuk po jep shenja se do të shkojë në zgjedhje, ndonëse deri dje kishte shpresa, por edhe informacione se kupola e PS-së po përgatitej për zgjedhje të parakohshme brenda këtij viti. Me sa duket kryeministri pasi është konsultuar me 7 oligarkët e vendit ka ndryshuar mendim dhe ka folur sot me ironi e tallje për Lulzim Bashën, duke thënë se nuk do ketë zgjedhje të parakohshme.

Ndërkohë opozita duhej ti drejtohej popullit për protestë për ta detyruar kryeministrin Rama, të paktën të vepronte si kryeministri maqedonas, Zaev, i cili shpalli zgjedhjet e parakohshme për me datë 12 prill 2020. Por jo ! Filluan lojën e Ramës me facebook, ku duhet pranuar se Edi Rama është shumë lart në këtë fushë.

Opozita duhej të kishte dalë që dje me vendim për të thirrur popullin në skenë. Protestat e opozitës kanë qenë madhështore e herë-herë radikale, por e kanë krijuar një mediatizim botëror për regjimin e Edi Ramës. Tani kur as negociatat nuk u hapën me BE e ku faji nuk është i presidentit francez, por pikërisht i qeverisë shqiptare, opozita duhej të dilte me vendim.

Dhe vendimi i tyre duhej të ishte populli në rrugë.

Por jo, për dreq po vazhdon loja e facebook-ut, ku siç thamë Edi Rama i palos në “duelin” e facebook.