Koncesioni i portit të Kepit të Rodonit, PD: Korruptive

Partia Demokratike deklaron se dhënia me koncesion e portit të Kepit të Rodonit dhe të Sarandës është vendim korruptiv. Përfaqësuesi i PD-së, Dorian Teliti, në një deklaratë për mediet tha se: ”Teksa javën e shkuar në Bruksel, Bashkimi Europian diskutonte për hapjen e negociatave, në Tiranë Rama i dha me koncesion krimit dhe oligarkëve dy pasuri të mëdha strategjike të Shqipërisë: portin e jahteve në Kepin e Rodonit dhe portin e Sarandës”.

Deklarata e plotë

Në kohë krize, në kohë tërmetesh, në kohë negociatash, në çdo kohë, Edi Rama nuk e ndal vjedhjen e Shqipërisë. Javën e shkuar në Bruksel, Bashkimi Europian diskutonte për hapjen e negociatave, kurse në Tiranë Edi Rama i dha me koncesion krimit dhe oligarkëve dy pasuri të mëdha strategjike të Shqipërisë: portin e jahteve në Kepin e Rodonit dhe portin e Sarandës. Të dyja këto koncesione u dhanë me tendera fallco, ku pati vetëm një ofertë, nga personat me të cilët Rama kishte bërë pazaret që më parë.

Kepin e Rodonit ia ka dhënë për 35 vjet Roland Ziut, i njohur nga mediat si trafikant ndërkombëtar droge. Prej vitesh ky trafikant është lidhur ngushtë me pushtetin e Edi Ramës. Para pak kohe, Erion Veliaj i dha atij koncesionin e terminalit jugor të transportit. Në këtë koncesion trafikanti i drogës i shndërruar në biznesmen pranë qeverisë, është bashkë me kompaninë R&T, e Renis Tërshanës. Koncesioni i Portit të Sarandës i është dhënë për 30 vjet dyshes Kastrati-Dulaku. Kastrati është oligarku më i ngushtë i Edi Ramës, që ka marrë koncesion 400 milionë euro të Rrugës së Kombit, furnizon ekskluzivisht prej 6 vjetësh me karburant qeverinë dhe ka përfituar leje ndërtimi në zonat e gjëlbërta të Tiranës.

Porti i Sarandës i ishte dhënë më qira për 20 vjet kompanisë së biznesmenit Artan Dulaku dhe nuk dihet sesi qiraja u kthye në koncesionin Dulaku-Kastrati. Vendimet për të dhënë me koncesion dy pika të rëndësishme të pasurisë dhe sigurisë kombëtare tek krimi dhe oligarkët e Edi Ramës janë pazare të paracaktuara. Për to nuk pati garë reale, kompanitë e huaja u përjashtuan de facto, koha e plotësimit të dokumentacionit ishte shumë e shkurtër, duke eliminuar konkurrencën dhe duke i shndërruar vendimet e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut në vendime korruptive dhe klienteliste.

Kapja e shtetit nga krimi dhe oligarkët është arsyeja kryesore që Shqipëria është jashtë Bashkimit Europian. Europa ka 6 vjet që e refuzon Ramën dhe krimin e tij. Europa do ta refuzojë atë deri sa ne ta largojmë nga pushteti dhe t’u kthejmë njerëzve qeverisjen nëpërmjet zgjedhjeve të lira e të ndershme.