Koncert për kancerin e gjirit, Jaho: Të kontribuojmë të gjithë

Një koncert bamirësie në ndihmë të vajzave dhe grave të prekura nga kanceri i gjirit rikthen Ermonela Jahon në skenën shqiptare. Sopranoja me famë ndërkombëtare do të interpretojë krah 4 artisteve të tjera shqiptare mbrëmjen e së martës në Tiranë.

Pas sukseseve në skenën ndërkombëtare Ermonela Jaho rikthehet në Shqipëri me një mision sa madhor por dhe emocional.

Bashkë me katër artiste të tjera shqiptare ajo do të marrë pjesë në një koncert bamirësie në ndihmë të grave dhe vajzave të prekura nga kanceri i gjirit.

Jaho: Është emicioni shumë i madh. Unë nuk gjej dot as fjalët.

Tetori rozë i sjell ndërmend kujtimin e dy mikeshave që humbën jetën nga kjo sëmundje por edhe rolin e saj si grua e artistë në këtë nismë.

Jaho: Para dy muajsh kam humbur dy mikeshat e mia në moshën time, kështu që më kujton çdo ditë. Nëse do kujtohemi çdo ditë do të jemi qënie humane më të mira.

Kontributin e saj e cilëson modest ndaj një thirrje drejton për të gjithë qytetarët dhe institucionet.

Jaho: Kush ka në dorë me një emër, me një pozitë, bëjë jep atë çfarë ke. Është detyrim human. Nëse ne nuk do vlerësojmë dhe duam njeri tjetrin ne do të zhdukemi si komb.

Mbrëmjen e së martës Jaho do të flasë me artin e saj, në skenë do të interpretojë vepra të kompozitorëve të njohur botërorë.

Jaho: Në çdo numri është pjesë e një femre.

Koncertit me vlera të larta artistike, i janë bashkuar edhe Vikena Kamenica, Elda Laro, Enada Hoxha dhe pianistja Paola Jaho.

Kamenica: Është nga rastet më të mira, kur arti shkon direkt tek publiku. 

Hoxha: Vetëm puna pasioni dhe arti ynë, në rastin konkret arti im është këtu për të mbështetur këtë kauz. 

Të ardhurat e mbledhura nga koncerti do të shkojnë për ndërtimin e një qendre për ofrimin e shërbime ndaj grave dhe vajzave të prekura nga kanceri i gjirit si dhe të afërmit e tyre.