Komisioni i Reformës Zgjedhore, anëtarët ndahen në tre grupe pune

Komisioni Reformës Zgjedhore do të mblidhet përsëri të enjten paradite, për të vendosur mbi ngritjen e grupeve të punës dhe raportimet paraprake të tyre. Gjithashtu, gjatë mbledhjes do të prezantohet edhe paketa e parë që adreson rekomandimet e ODIHR-it për fushatën zgjedhore, kuotat gjinore, financimin e fushatës, regjistrimin e subjekteve dhe abuzimin e administratës. Para mbledhjes së enjtes, mësohet se grupet e punës do të takohen veçmas të mërkurën, për të diskutuar mbi ndarjen e detyrave. Anëtarët e Komisionit të Reformës Zgjedhore janë ndarë deri tani në tre grupe pune. Kështu për sistemin zgjedhor do të punojnë Damian Gjiknuri, Bashkim Fino, Myslim Murrizi dhe Nimet Musaj. Blerina Gjylameti, Klotilda Ferhati, Arben Elezi dhe Ralf Gjoni do të punojnë në lidhje me financimin e partive politike ndërsa me çështjen e votës së emigrantëve do të merren Alket Hyseni, Adnor Shameti, Korab Lita dhe Adriatik Alimadhi.