Isuf Kalo: Enver Hoxha e kishte për mburrje që ishte diktator. E mendonte dhunën si një mekanizëm të domosdoshëm

Isuf Kalo ka folur sonte në “Real Story” në News24 për punën e tij si mjek personal i diktatorit Enver Hoxha të përshkruar dhe në librin e tij “Blloku”. Kalo tha për Hoxhën se nuk e fshihte që ishte diktator dhe madje e kishte për mburrje. Ai tregoi se pas kamerave Enver Hoxha ishte tjetër njeri, duke e përshkruar edhe si karizmatik e orator.

“Të mos keqkuptohet se duke qenë mjek personal i Enver Hoxhës nuk kam qenë mjek i të tjerëve. Për Enver Hoxhën fakti që kam qenë mjek, kuptohet ato që di unë më shumë janë çështje të shëndetit të tij. Unë nuk i kam ndjekur i vetëm sepse kam pasur një ekip mjekësor. Bashkë i kemi ndarë ato qasjet dramatike me të apo prestigjin që të jepte atëherë kjo detyrë. Unë kam qenë 2 vjet mjek personal me Hysni Kapon. Ai më thirri e tha që po e bëre mirë këtë detyrë partia dhe populli do të ishin përjetë mirënjohës. Ato që di për Enverin si pacient është e veçantë nga ajo që dinë njerëzit për Enverin si udhëheqës.
Ai nuk e fshihte, e kishte për mburrje që ishte diktator. Ai mendonte dhunën si një mekanizëm që është i domosdoshëm në një regjim diktatorial dhe e nevojshme për ata njerëz që të pengojnë të bësh atë që do.

Ishte tjetër Enver pas kamerave. Ishte nga ata lloj karizmatik, orator. Nuk kishte probleme në nivelin individual, por në llojin e regjimit që ai zgjodhi, besoi. Enveri kishte simpati për Francën për De Golin dhe De Goli për të. Por Franca nuk na donte sa donte Serbinë. Unë kam mjekuar diktatorin jo diktaturën. Psikikën e tij e ka zbuluar në kontakte me popullin”, tha Kalo.

I ngacmuar për seksualitetin e Enver Hoxhës, Kalo tha se nuk ka folur për këtë gjë me diktatorin por se ai lexonte shumë.

“Nuk e kam ditur këtë gjë. E kam marrë në dorëzim kur ishte 65 vjeç dhe i sëmurë. Nuk kam informacion për këtë gjë. Enver Hoxha ishte njeri i mirëinformuar. Njeri që lexonte sidomos në frëngjisht. Po ka dashur të interesohej e merrte informacionin. Me mua nuk ka folur”, tha Kalo.

Por a ka pasur Enver Hoxha psikologë? Ish-mjeku personal i tij thotë se atëherë psikologjia nuk ekzistonte. “Jo, absolutisht. Psikologjia ishte e zëvendësuar nga propaganda”, thotë Kalo.