FOTO/ U shkatërrua nga tërmeti, vijon puna për rindërtimin e shtëpisë së familjes Matera në Ndroq

Faza e emergjencës që shkaktoi tërmetit i shtatorit ia ka lanë vendin tani rimëkëmbjes dhe rindërtimin të të gjitha banesave të dëmtuara në Tiranë. Pasi janë bërë matjet dhe arkitektët kanë realizuar projektet, puna për rindërtimin e shtëpive po vijon intensivisht në terren. Një prej tyre është edhe shtëpia e familjes prej 7 anëtarësh të Ramazan Materës në Lagjen e Re në Ndroq, e cila pësoi dëmtime të parikuperueshme nga lëkundjet e tërmetit që goditi edhe Tiranën në 21 shtator.

Nënkryetarja Anisa Ruseti ka postuar disa foto teksa skuadra e World Bank Albania së bashku me skuadrën e Bashkisë së Tiranës, ndihmuan me disa orë punë vullnetare duke i ardhur në ndihmë kompanisë së ndërtimit që ka marrë përsipër rindërtimin e shtëpisë së familjes Ramazan Materës, e cila u dëmtua gjatë lëkundjeve të tërmetit të 21 shtatorit.

“Këtë vit skuadra e World Bank Albania dhe ajo e Bashkia Tiranë zgjodhën që në Ditën Ndërkombëtare të Zhdukjes së Varfërisë #EndPovertyDay të ndihmonin me disa orë punë vullnetare në rindërtimin e shtëpisë së familjes Matera në Ndroq e cila u prek nga tërmeti”, shkruan nënkryetarja Ruseti në Facebook.

Puna për rindërtimin e të gjithë banesave të prekura nga tërmeti po vijon çdo ditë në mënyrë që Viti i Ri t’i gjejë familjarët në shtëpitë e tyre dhe me kushtet e duhura.