“Dy marrëveshjet me Millosheviçin”, Berisha i kthehet ashpër Hashim Thaçit

Ish-kryeministri Sali Berisha i ftuar në emisionin “Tempora” në RTV Ora tha se kompromisi Vuçiç i ka kërkuar Ramës që Kosova të mos jetë pjesë e “Shengenit Ballkanik” dhe kryeministri shqiptar e ka pranuar.

Sipas burimeve 100%  të sigurta diplomatike kompromisi Rama-Vuçiç është që Rama të pranojë që Kosova të mos pranohet në Shengen. Ky është. Dhe Ramës i premtoi Vuçiç se të zgjidh problemin duke përdorur të gjithë miqësinë që kam me Francën 200 vjeçare dhe do ta zgjidh këtë punë. Vuçiç i ka kërkuar Ramës që Kosova të mos jetë pjesë e “Shengenit Ballkanik” dhe Rama e ka pranuar këtë kusht”, tha Berisha.

Përgjigja për Thaçin

Ish-kryeministri Sali Berisha i ka kthyer një përgjigje të fortë Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili një natë më parë zbërtheu të gjitha prapaskenat që ndodhnin me politikën, gjatë kohës kur u zhduk Remzi Hoxha.

Thaçi në “Top Story” lëshoi akuza të forta ndaj ish – presidentit të asaj kohe, Sali Berisha, i cili tha se Bashkim Gazidede përndiqte aktivistët e lëvizjes për çlirimin e Kosovës.

Ndërsa sot ka ardhur dhe reagimi i vetë Berishës për këtë çështje.

Në studion e emisionit “Tempora”, Berisha tha se kreu i SHIK ndihmonte ata që luftonin vërtet për Kosovën dhe jo ata që loznin me letra në vilën e Enver Hoxhës.

Pjesë nga biseda në studio

Sali Berisha: Argati i Beogradit meriton vetëm atë që i kam thënë, është argat i Vuçiçit, mjeran i damkosur në mbarë Kosovën dhe tani në mbarë Evropën. Shkoi në samitin e Berlinit për të shitur tokat e vendit të tij.

Sonila Meço: Thaçi ka thënë SHIKU i Gazidetes përndiqte aktivistet e lëvizjes për çlirimin e Kosovës?

Sali Berisha: SHIKU i Gazidedes ka bërë punë të jashtëzakonshme për të ndihmuar ata që vërtet luftonin në Kosovë. Po jo ata të cilët raportonin se janë në Kosovë por loznin letra në vilën e Enver Hoxhës.

Denion Ndrenika: A lidhet kjo vetëm me ata që vinin në zyrën e Iljaz Ramajlit?

Sali Berisha: Jo nuk e thashë atë. Ata që vinin në zyrën e iljaz Ramajlit  kanë qenë Adem Jashari. Në 1993 Adem Jashari ka qenë në Shqipëri.

Denion Ndrenika: I bie që Thaçi të thotë që të kenë qenë këta që përndiqeshin?!

Sali Berisha: Armatoseshin dhe stërviteshin në Shqipëri. Thaci thotë se e kanë arrestuar sepse është gjetur i vrarë shoku i dhomës së tij.

Deklaratat e Thaçit në “Top Story”

“Sipas Aliut, dhe dëshmisë që kishte siguruar në atë periudhë, ishin diskutuar dy çështje apo vendosur, e para ishte marrëveshja trepalëshe Berisha, Millosh, Gligorm për vijimin e kontrabandës. E dyta ishte marrëveshje Millosheviç Berisha bilateral, shitblerje e armëve nga Shqipëria për Jugovllavinë për njësitet ushtarake e paraushtarake në Kroaci e Bosnje, por edhe njësi tjera që qëndronin të gatshme për të kryer spastrim etnik, edhe në Kosovë që ndodhi më vonë”, tregon Hashim Thaçi.

Basri Zuka, Sekretari i Shoqatës që drejtonte Remziu i dërgon një letër Ibrahim Rugovës ku e informon lidhur me sa ata ishin dëshmitarë, duke i shprehur dyshimet e veta.

“-Rugova e pyet Berishën, i thotë a është e vërtetë kjo që flitet apo jo? Berishës i bie në vësh që Remzi Hoxha e dika këtë fakt dhe na paska përcjellë”, tregon Ardian Hoxha, djali I Remzi Hoxhës.

“Sipas Aliut gjithmonë një dëshmi e tillë kishte përfunduar në duart e Azem Hajdarit, e ai në atë kohë shantazhonte presidentin Berisha në atë kohë, raportet ishin aq të acaruar e çuan në përplasje ndoshta edhe me pasoja për Azemin më vonë”, rrëfen për Top Story ish – komandanti i UÇK-së, Hashim Thaçi.