Deputetët e opozitës së re kërkojnë interpelancë urgjente për 11-vjeçarin në Siri

Deputetët e opozitës së re kanë kërkuar interpelancë urgjente për 11-vjeçarin shqiptar në Siri.

Në një letër drejtuar kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçit, grupi prej 7 deputetësh kërkon mbajtjen e interpelancës me Ministrin e Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj.

Deputetët kërkojnë të dinë se çfarë masash po merresh nga shteti shqiptar për rastin e Alvin Berishës që ndodhet në kampet siriane dhe për raste të ngjashme me të.

U gjet nga “Le iene” – Ishin gazetarët italianë të emisionit investigativ “Le iene” që bënë të mundur gjetjen e vogëlushit shqiptar Alvin Berisha në një kamp të burgosurish në veri lindje të Sirisë i kontrolluar nga forcat kurde.

Vogëlushi shqiptar kërkohej nga babai i tij, Afrim Berisha që prej natës  së 12 dhjetorit 2014 kur bashkëshortja e tij Valbona Berisha u largua nga Italia për t’ju bashkuar luftës së shtetit islamik.

Forcat kurde qe ruajnë kampin nuk lejojnë largimin e vogëlushit shqiptar pa praninë  e një funksionari shqiptar.

Gazetari italian i bën thirrje qeverisë shqiptare e ambasadës shqiptare në Turqi të ndihmojë shtetasin e tyre Afrim Berisha të nxjerr nga ky kamp të burgosurish djalin e tij 11 vjeçar.