Debati me dyer të mbyllura në Kryesinë e PS, Majko dhe Xhafaj përplasen me Ramën për negociatat

Gjatë mbledhjes së djeshme të Kryesisë së PS, ministri i Diasporës, Pandeli Majko dhe ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i kanë kërkuar Kryeministrit Rama që të dalë me një qëndrim në lidhje me moshapjen e negociatave.

Në fund të mledhjes, ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, kërkoi daljen me një qëndrim nga kryesia për çështjen e negociatave. Pas Xhafajt ka ardhur edhe reagimi i  ministrit të Diasporës, Pandeli Majko, i cili madje i ka drejtuar kritika dhe ministrit në detyrë, Gent Cakaj, për deklaratën që ai bëri pas kthimit nga Brukseli.

“Genci nuk duhet të bënte atë deklaratë, sipas të cilit, “unë (ai) dhe Kryeministri Rama nuk kemi premtuar hapjen e negociatave”. “Në Maqedoni ka pasur premtime se nëse nuk hapen negociatat do të japin dorëheqjen, prandaj përgjegjësia e autoriteteve është krejtësisht e tyre. Unë nuk e di nëse unë apo kryeministri Rama, apo ndonjë anëtar tjetër i qeverisë, ka premtuar se negociatat do të hapen, ne kemi thënë se jemi zotuar që do të bëjmë përpjekje, por jo se do të jepet përfundimisht rezultati i pritur”, është shprehur Cakaj në një konferencë për gazetarët, një ditë pas vendimit të Këshillit Europian.

Sipas Majkos, shqiptarët prisnin vetëm hapjen e negociatave dhe asnjë përgjigje tjetër.

“Prandaj, unë them se ne si kryesi duhet të dalim me një qëndrim për këtë vendim të Këshillit Europian dhe duhet të kemi një qëndrim në logjikën edhe të zhvillimeve në rajon”. Nga ana e tij, kryetari i PS-së, Kryeministri Rama është shprehur se qeveria që ai drejton, ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara nga Komisioni Europian, gjë që u nënvizua dhe nga krerët më të lartë të Bashkimit Europian, që nga kancelarja Merkel, e me radhë kryeministrat e Italisë, Bullgarisë, madje sipas Kryeministrit Rama edhe nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Kreu i PS-së, duke iu referuar reagimit të DASH, tha se për këto, vendimi i disa vendeve të BE-së ishte zhgënjyes dhe jo inkurajues. Madje, kryesocialisti për të bindur anëtarët e tij të kryesisë citoi edhe Presidentin e PE-së, Donald Tusk, por dhe Kryeministrin Konte, se refuzimi i hapjes së negociatave me Shqipqërinë dhe Maqedoninë e Veriut ishte një gabim i madh historik.

Ndërkohë anëtarja e Kryesisë socialiste, Mimi Kodheli, nuk sheh pika të përbashkëta mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, sa u përket zgjedhjeve të parakohshme. “Maqedonia ka pasur një kusht mbi të gjitha kushtet, çështjen e emrit. Jetojmë në një sistem që nuk i përgjigjet marrjes së pushtetit në tavolinë. Dorëheqja nuk nënkupton domosdoshmërisht dhënien e pushtetit në tavolinë, në qoftë se ju besoni që jeni maxhorancë, mund të rifitoni besimin e qytetarëve… Dorëheqja ka të bëjë me moralin, ne po flasim për sistemin”, u përgjigj Mimi Kodheli.