BE i jep dhe një alibi Vuçiç për mosnjohjen e Kosovës

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç e sheh marrëveshjen për mini-Shengenin ballkanik të firmosur këtë muaj si reagim ndaj dyshimeve të BE-së për zgjerimin. Ai mbetet dyshues për një akord me Kosovën, ndërsa komenton edhe nobelistin Peter Handke të anatemuar për pikëpamjet e tij proserbe.

Mini-Shengeni ballkanik dhe unioni doganor që Shqipëria, Maqedonia Veriore dhe Serbia firmosën më 10 tetor mund të kthehet në realitet brenda vitit 2022.

Në një intervistë me vjenezen “Der Shtandard”, presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha të martën se vendet e rajonit duhet të kujdesen për veten përderisa Bashkimi Europian po i vonon perspektivën e integrimit.

“Tani nuk flitet më për shtete europiane që janë të lodhura me procesin e zgjerimit, por në të ardhmen e afërt kërkohet të shmanget çdo anëtarësim i ri. Ndaj duhet të kujdesemi për veten dhe të fokusohemi te katër liritë kryesore, që janë liria e lëvizjes, e kapitalit, e njerëzve dhe e shërbimeve.”

Vuçiç foli edhe për vazhdimin e negociatave me Kosovën tani që vendi mund të ketë Albin Kurtin për kryeministër.

“Ne e përjashtojmë thuajse plotësisht mundësinë e njohjes së shtetit të Kosovës brenda kufijve aktualë. Por amerikanët na thonë se Bashkimi Europian do na e kërkojë këtë gjë. Nëse Kosova siguron gjithçka, njohjen, territoret, njerëzit tanë, po ne çfarë fitojmë? Anëtarësimin në BE pas 10 viteve, siç iu premtua Maqedonisë së Veriut se do i hapeshin negociatat për anëtarësim?”

Kryeshtetari 49-vjeçar i Serbisë komentoi edhe polemikat e Çmimit Nobel për autorin austriak Peter Handke, i akuzuar si filoserb dhe përkrahës i gjenocideve në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë.

“E kam uruar dhe kam dëshirë të lexoj librat e tij për Serbinë para se të na vizitojë së shpejti. Nuk dua ta gjykoj por ka të drejtë kur thotë se ne serbët kemi humbur më shumë jetë njerëzish nga bombardimet, shkatërruam vendin dhe humbëm 30 vite ekonomi duke pasur tani të njëjtin prodhim kombëtar si në vitet ’90.”

Sipas Vuçiç, Handke ka treguar se si duhet të sillet një intelektual i vërtetë, që i qëndron pozicionit të vet pavarësisht paragjykimeve dhe cenimit moral.