Banushi: Dyshoj që gjyqtarë dhe prokurorë janë pjesë e listës “non grata” të SHBA-ve

Gazetarja Keti Banushi e ftuar në studion e lajmeve në RTV  Ora foli për nxjerrjen e emrave të zyrtarëve që janë shpallur “non grata” nga Ambasada Amerikane dhe nuk u jepet viza.

Banushi tha se dyshon që pjesë e listës së Ambasadës Amerikane për shpalljen “non grata”  mund të jenë gjyqtarë dhe prokurorë.

Gazetarja: Ambasada Amerikane ka paralajmëruar zgjerimin e listës së zyrtarëve, të cilëve do t’ju anulohen vizat amerikane përfshirë edhe personazhe publike. Çfarë pritet të ndodhë në vijim?

Keti Banushi: Të paktën 3 personazhet publike që kanë dalë sot, nuk është një lajm i ri është thënë edhe më herët, ish-prokurori i përgjithshëm dhe ish-kreu i Bashkisë së Durrësit janë duke u hetuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe dosjet e tyre do t’i kalojnë padyshim SPAK-ut, sepse kanë vepra që i kalojnë këtij institucione.

Ndërsa në lidhje me zyrtarë të tjerë dyshoj se mund të ketë gjyqtarë dhe prokurorë. Në veting disa herë kanë dalë edhe raste të gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk e kanë kaluar vetingun dhe një nga pikat ka qenë edhe refuzimi i vizës amerikane për shkak të informacioneve që ata kanë pasur. Por edhe zyrtarë të tjerë që dyshohet se kanë kryer shpërdorim detyre ose korrupsion.

Gazetarja: Çfarë mesazhi kërkon të përcjellë Ambasada Amerikane me këtë listë? Vazhdimisht këta emra kanë qenë të publikuar, por që tani pritet edhe publikimi i të tjerëve.

Keti Banushi: Mesazhi është i qartë. Krijimi i SPAK, pasi bëhet fjalë për zyrtarë që janë kompetencë e SPAK. Pra sado që vonohet ngritja e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion këta zyrtarë nuk do të shpëtojnë nga ndjekja. SPAK mund të krijohet këtë vit, mund të krijohet vitin tjetër, muajin tjetër. Por me këtë mesazh ambasada ka dashur të përcjellë faktin që të vijojnë të ndiqen të gjithë.