“Zaev, shembull për reagimin, Shqipëria, pjesa e prapambetur e medaljes”

Në “Ditarin” e orës 09:00 në A2, analisti Aleksandër Çipa, teksa foli për mos-hapjen e negociatave, u shpreh se Maqedonia e Veriut respekton funksionimin e demokracisë si ndërgjegje, ndërsa në Shqipëri kjo jo vetëm që nuk është prezentë, por praktikisht nuk po bëhet.

“Kemi të bëjmë me dy forma të shprehjes së demokracisë në mënyrë të ndryshme. Maqedonia Veriut, veç vendimit për të shkuar në zgjedhje, është shprehje e vullnetit të unifikuar të partive politike për të ruajtur kahun e integrimeve euroatlantike. Diçka të tillë duhet ta kthej në vëmendje edhe politika shqiptare sepse është një çështje që duhet të përcaktojë edhe njëherë patundshmërinë e devizës sonë politike. Është kauza më e rëndësishme e 100 viteve të fundit për t’u rikthyer në bashkësinë e përkatësisë si kontinent. Leximi i dytë ka të bëjë me diferencën. Fatkeqësisht, ne jemi pjesa e prapambetur e medaljes. Maqedonia e Veriut respekton funksionimin e demokracisë si ndërgjegje, ndërsa në Shqipëri kjo jo vetëm që nuk është prezentë, por praktikisht nuk po bëhet. Do të ishte e natyrshme që partitë tona të reagonin ndryshe me një sjellje dhe pretendim. Më së shumti ishte kriteri gjeopolitik që e udhëhoqi në princip Francën për t’i refuzuar këto dy vende. Ashtu siç ishin edhe disa kërkesa specifike nga vende të tjera. Megjithatë, politikisht kryeministri Rama, në kushtet kur ka qeverisur dhe vazhdon të qeverisë pa pengesa nga opozita, e cila është prej më shumë se 7 muajsh është jashtë institucioneve, duhet takryente një akt të tillë moral. ky akt do të rikthente përsëri shpresën e demokracisë funksionale në Shqipëri”.

“Groteske të pretendosh se s’ka kohë për të humbur”

“Të pretendosh se nuk ka kohë për të humbur, kur njëkohësisht jepen prova të riciklueshme të vonesave të pafundme, kjo tingëllon disi groteske. Rama duhet ta fitonte kohën në vetvete dhe të mos pretendojë se koha është në dispozicion të përhershëm të tij. Politikisht kjo duhet të lexohet korrekt. Aktualisht, mendoj se do të ishte më e hijshme për kryeministrin Rama që të jepte një provë, ashtu si kundër ja kanë kërkuar disa nga partnerët më të rëndësishëm rajonal. I fundit në këtë listë ishte kryeministri i Italisë, Conte, se i përket shumicës politike të këtij vendi të bëjë një hap prapa për ta rikthyer të gjithë sjelljen dhe veprimin politik në vend në një pistë të normalitetit. Nga ana tjetër, pavarësisht se është në legjitimitetin e saj natyral për ta kërkuar largimin, mendoj se ka ardhur çasti për bindshmërinë e kapacitetit që zotëron, të projektit që kërkon të implementojë dhe mbi të gjitha, të kapacitetit në nivelin dhe në lartësinë e ekspertizës politike që duhet të ofrojë një alternativë. Këto të fundit, mendoj se në perceptimin publik dhe në bindshmërinë e elektoratit ende mbeten të pamjaftueshme për të dhënë besim”.

“Reforma zgjedhore, marrëveshje paraprake mes palëve”

“Deklaratat e dy palëve nuk lidhen me thelbin ndryshues të sistemit, si kundër e pretendon shoqëria dhe në shumicën e rasteve edhe partitë e tjera. Mesa duket, kjo është edhe një nga marrëveshjet paraprake në heshtje që dy protagonistët politikë kryesorë kanë bërë. Sipas të gjitha gjasave, ata nuk do ta prekin sistemin elektoral që ka Shqipëria, sikundër do të premtojnë të fusin disa amendamente që rregullojnë administrimin e procesit zgjedhor. Nga ana tjetër, do të investohet në ngritjen e një administrate”, u shpreh analisti Aleksandër Çipa.