Verë e dytë, pushuesit rikthehen në plazh

Brigjet e Adriatikut por jo vetëm duket se po shijojnë një verë të dytë. Kjo, jo vetëm për shkak të temperaturave por edhe të pushuesve të cilët duket se i janë rikthyer plazheve, edhe gjatë ditëve të javës. Disa prej frekuentuesve të plazhit të Durrësit vlerësojnë qetësinë, pastërtinë e rërës dhe ujit, shërbimin e lokaleve, por nuk ngurrojnë të shprehen se natyra po i shpërblen pas ankthit dhe frikës që Durrësi përjetoi me tërmetin e një muaji më parë. Ka edhe nga ata pushues që pushimet në këtë periudhë të viti i kishin planifikuar për të shmangur mbipopullimin dhe mungesën e pastërtisë që mbizotëron në muajt korrik dhe gusht. Temperatura të tilla do të mbizotërojnë edhe gjatë kësaj jave, duke ftuar akoma më shumë pushues në bregdet.