“Projekteve të Tiranës do t’i shkojmë deri në fund”, Veliaj: Synimi është të mbjellim 150 mijë pemë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i shoqëruar nga deputetja e PS, Klotilda Bushka, iu bashkua sot aksionit për mbjelljen e 100 pemëve në këtë pjesë të qytetit. “Kur fillon aksioni i mbjelljeve në Tiranë është një ditë shumë e lumtur. E nisim nga Njësia 3, me një super-projekt, për ta kthyer Lanën në një park linear, njësoj si me pjesën tjetër të lumit, Lanën e vjetër. Kjo është Lana e re, nga Materniteti i Ri dhe mbaron në Shkozë, një projekt si çdo projekt i bukur në Shqipëri që kontestohet, që ka debate. Mjafton vetëm ta shikojmë tani që janë mbjellë qindra pemët e para dhe sesi ky segment i parë është shndërruar në një bahçe me lule, sesi korsitë në të dyja anët e Lanës së Re i kanë shtuar vlerën pronës, ka sjellë zhvillim, po hapen dyqane, restorante etj”, tha Veliaj.

Ai ftoi të gjithë banorët e Tiranës që t’i bashkohen aksionit të mbjelljeve dhe të kontribuojnë për shtimin e gjelbërimit, që edhe këtë vit të thyhet rekordi i vitit të shkuar. “Ky është një lajm fantastik, ndaj dua t’i ftoj të gjithë banorët të na japin një dorë. 3 mijë pemët e para do t’i mbjellim ne. Janë 3 mijë të parat e një rekordi prej 150 mijë pemësh që duam të thyejmë këtë sezon, për t’u siguruar që kur e filluam procesin e mbjelljes së pemëve, deri në fund të këtij sezoni, të kemi kapur 500.000 pemë”, shtoi Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se ky sezon përkon edhe me 75-vjetorin e Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë, ndaj është një moment shumë i mirë që çdokush, sidomos kompanitë apo bizneset e ndryshme, të nderojnë sakrificën e atyre që luftuan dhe dhanë jetën për atdhe, duke mbjellë pemë. “Synimi për këtë vit është pak më i lartë, por kemi edhe shumë sebepe: Kemi 17 nëntorin, pastaj 28-29 nëntorin, festimet për 75-vjetorin e Çlirimit. Është një moment për të kujtuar që, siç u çliruam nga një pushtues, tani duhet të çlirohemi nga të tjerë pushtues, si ndotja e ajrit nga makinat. Për të gjitha këto arsye, qoftë 75-vjetori i Çlirimit, qoftë 100 vjetori i Tiranës kryeqytet, është një arsye për çdo kompani të mbjellë nga 100 pemë; çdo shoqatë, shkollë, fakultet, universitet, të mbjellin nga 100 pemë”, vijoi ai.

Duke u ndalur tek projekti për lumin e Lanës, Veliaj deklaroi se ky projekt do të jetë po aq i suksesshëm sa edhe pjesa e parë e tij. “Në këtë segment do të kemi parkun e dytë linear, siç ishte parku i parë linear i Lanës së kohës së Ramës kryetar bashkie. Ky do të jetë i dyti, që kur të kalojnë vitet, të kemi mundësi të kthejmë kokën pas te fëmijët tanë dhe të themi: këtë e mbollëm në vitin 2019-2020, në atë sezon mbjelljesh, për ta kthyer këtë segment në një segment të urbanizuar të Tiranës”, tha ai.

Veliaj siguroi qytetarët e Tiranës për vijimin e projekteve të rëndësishme transformuese. “Dua t’i garantoj të gjithë qytetarët se projekteve do t’i shkojmë deri në fund. Do të vazhdojmë shumë shpejt me Astirin, me përfundimin e Unazës dhe segmentin në Shkozë, lidhja me Unazën e Madhe që është gjithashtu një nyjë shumë e rëndësishme. Pastaj, do të vazhdojmë në Tufinë, edhe përgjatë bregut të Lumit”, tha kreu i Bashkisë, teksa siguroi se çdo banor që preket nga projektet zhvilluese nuk do të mbetet pa banesë apo ndihmë nga ana e bashkisë. “E kuptoj që ka projekte që kanë shumë debat dhe sigurisht, askujt nuk i vjen mirë kur zgjerohet Lana, ose kur ndërtohet një autostradë. Por, di të them këtë: asnjë banor nuk do të ngelet jashtë. Për të gjithë ata që kanë pronë, marrin një shpronësim, për të gjithë ata që kanë nevojë marrin një banesë sociale, për të gjithë ata që duan ndihmë, marrin një bonus qiraje, nëse janë qiramarrës. Ama, Tirana nuk do të mbetet pa i përfunduar projektet”, theksoi ai.

Deputetja e PS, Klotilda Bushka, vlerësoi angazhimin e Bashkisë së Tiranës dhe të qeverisë për transformimin e kësaj zone, duke përmirësuar tërësisht edhe jetesën e gjithë komunitetit. “E gjithë zona, nga Materniteti i Ri deri sipër, nëse kthehemi dy vite më parë, ka qenë një zonë që përbënte rrezik për shëndetin. Sot është një zonë komplet e re, një investim gjigant i bashkisë dhe i qeverisë shqiptare, të cilin duhet edhe ta mirëmbajmë. Sigurisht, 3 mijë pemët që Bashkia e Tiranës do të mbjellë në këtë zonë janë një investim shumë i çmuar, por duhet patjetër që të gjithë banorët e zonës, bizneset dhe kushdo që do të kontribuojë ky është rasti më i mirë për t’i shërbyer zonës”, deklaroi ajo.