Presidenti i Greqisë: Shqipëria duhet të ndryshojë qëndrimet e saj

Presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopoulos, ka lëshuar kritika ndaj Shqipërisë në një ceremoni të mbajtur të mbajtur sot Athinë, në përkujtim të ushtarëve grekë që kanë rënë gjatë luftës me Italinë në vitin 1940.
Gjatë inaugurimit të muzeut të përkohëshëm për grekët e rënë në betejën, që njihet si Fronti Shqiptar, Pavlopoulos tha se të gjithë ushtarët e rënë mbrojtën demokracinë greke. Presidenti grek ka fajësuar edhe Shqipërinë për viktimat e kësaj lufte, sipas tij, duke mos i varrisur sipas nderimeve.

“Unë i bëj homazhe kujtimit të shenjtë të atyre që ranë në Frontin Shqiptar, duke mbrojtur lirinë dhe demokracinë kundër fashizmit. Fatkeqësisht, nën përgjegjësinë e Shqipërisë fqinje, shumë prej tyre nuk gjetën varrin që i takon sakrificës së tyre të madhe. Është koha që Shqipëria, tani që aspiron të bëhet një anëtare e familjes sonë evropiane, të ndryshojë qëndrimin e saj. Dhe është ngushëlluese që fillon të ndryshojë qëndrimin, me kusht që të ketë një përfundim të lumtur”,- deklaroi presidenti i Greqisë.