Ngërçi i Brexit, Johnson kërkon mbështetjen për ujdinë e re

Boris Johnson u kërkon deputetëve britanikë të votojnë marrëveshjen e re për Brexit, e arritur me Bashkimin Europian ditën e enjte.

Për kryeministrin sigurimi i dritës jeshile do të jetë një sipërmarrje e vështirë, pas disfatës në fundjavë, kur deputetët votuan për një tjetër shtyrje të Brexit. Johnson u detyrua t’i dërgojë një letër Bashkimit Europian, ku i kërkoi Brukselit zgjatje të afatit, por nuk e firmosi atë.

Shefi i Ekzekutivit të Londrës kishte thënë se nuk do ta bënte kurrë një gjë të tillë, por në fund ju bind të ashtuquajturit “Ligji Ben”, i aprovuar në fillim të shtatorit nga Parlamenti Britanik. Bashkë më letrën e parë, Johnson i dërgoi një tjetër letër Presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk, ku bënte thirrje që kërkesa për shtyrje të mos merrej parasysh. Tani, Kryeministri këmbëngul që parlamentarët t’i thonë një “po” ose “jo” të qartë marrëveshjes. Do të jetë në dorën e kreut të Dhomës së Komunëve, nëse do të lejojë ose jo votimin.