Negociatat/Çipa: Zaev, shembull për reagimin, Shqipëria e prapambetur

Analisti Aleksandër Çipa, teksa foli për mos-hapjen e negociatave, u shpreh se Maqedonia e Veriut respekton funksionimin e demokracisë si ndërgjegje, ndërsa në Shqipëri kjo jo vetëm që nuk është prezentë, por praktikisht nuk po bëhet.

“Kemi të bëjmë me dy forma të shprehjes së demokracisë në mënyrë të ndryshme. Maqedonia Veriut, veç vendimit për të shkuar në zgjedhje, është shprehje e vullnetit të unifikuar të partive politike për të ruajtur kahun e integrimeve euroatlantike. Diçka të tillë duhet ta kthej në vëmendje edhe politika shqiptare sepse është një çështje që duhet të përcaktojë edhe njëherë patundshmërinë e devizës sonë politike. Është kauza më e rëndësishme e 100 viteve të fundit për t’u rikthyer në bashkësinë e përkatësisë si kontinent. Leximi i dytë ka të bëjë me diferencën. Fatkeqësisht, ne jemi pjesa e prapambetur e medaljes. Maqedonia e Veriut respekton funksionimin e demokracisë si ndërgjegje, ndërsa në Shqipëri kjo jo vetëm që nuk është prezentë, por praktikisht nuk po bëhet. Do të ishte e natyrshme që partitë tona të reagonin ndryshe me një sjellje dhe pretendim. Më së shumti ishte kriteri gjeopolitik që e udhëhoqi në princip Francën për t’i refuzuar këto dy vende. Ashtu siç ishin edhe disa kërkesa specifike nga vende të tjera. Megjithatë, politikisht kryeministri Rama, në kushtet kur ka qeverisur dhe vazhdon të qeverisë pa pengesa nga opozita, e cila është prej më shumë se 7 muajsh është jashtë institucioneve, duhet takryente një akt të tillë moral. ky akt do të rikthente përsëri shpresën e demokracisë funksionale në Shqipëri”,tha ”A2Cnn”.