Ndryshon trajneri, por Milan jo. Inter nuk i ndahet Juventusit

Milani ndryshoi trajner, por zhgënjimi mbetet sërish. Kuqezinjtë dështuan të kthehen te fitorja duke I prishur festën e ditëlindjes dhe debutimit Stefano Piolit, duke barazuar në shtëpi 2-2 kundër Lecce. Një tjetër ndalesë që minon objektivin Champions, por e hidhur për mënyrën se si erdhi. Milani e nisi ndeshjen në mënyrë të shkëlqyer. Dominoi me lojë dhe raste deri sa gjeti golin e epërsisë me Calhanoglu në minutën e 20-të.

Kaq për pjesën e parë, ndërsa pas pushimit, Conti i dhuroi miqve një 11-metërsh në minutën e 62-të, duke i lejuar Babacar të barazojë shifrat. Shpresat e vendasve për fitore u ndezën sërish në Piatek. I hedhur në fushë si zëvendësues, polaku ktheu Milanin në epërsi në minutën e 81-të. Por festa e kuqezinjve u kthye në një zhgënjim në shtesë, kur Calderoni vulosi barazimin 2-2 në “San Siro” për ta bërë më të errët sezonin e Milanit deri në këto momente.

Ndryshon diskutimi për të mëdhenjtë e tjerë të Serie A. Juventus ruan serinë pozitive dhe vendin e parë me fitoren 2-1 kundër Bologna, ndërsa “Zonja e Vjetër” shijon Cristiano Ronaldon dhe lojën atraktive që mban firmën e Maurizio Sarri.

Nuk lëshon asgjë në ndjekje Inter që u kthye i “çmendur” me fitoren 3-4 në fushën e Sassuolo. Zikaltërit vazhdojnë të ëndërrojnë me Antonio Conte në pankinë dhe sidomos me dyshen e sulmit Martinez-Lukaku që mbyllën javën me dygolësha personalë.

Në garë është kthyer edhe Napoli, që mundi 2-0 Veronën në sfidën e luajtur të shtunën, teksa skuadra e Carlo Ancelottti përfitoi nga ndalesa e Atalantës 3-3 në fushën e Lazio për të ngushtuar diferencën me vendin e tretë në renditje.

Një tjetër frenim jetoi Roma, që nuk shkoi më shumë se barazimi pa gola kundër Sampdorias.