Lulzim Basha: Zoti Rama mjaft më me shfajësime, kupa u mbush!

Kreu i PD-së, Lulzim Basha deklaroi sot në një konferencë për mediat se pas dështimit me negociatat, Edi Rama duhet të bëjë atë që bëri Maqedonia e Veriut. Pra, zgjedhje të parakohshme. Sipas Bashës, qeveria dështoi me negociatat dhe duhet që një qeveri e re e dalë nga zgjedhja të lira të vijojë reformat dhe kursin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Deklaratave të Lulzim Bashës, Edi Rama iu përgjigj me një shprehje të Presidentit të KE-së, Doland Tusk, i cili tha, një javë më parë, se negociatat nuk u hapën për faj të Francës dhe jo reformave në Shqipëri, apo Maqedoninë e Veriut.

Pas këtij reagimi, kreu i PD-së, Lulzim Basha, në një postim në Twitter ka reaguar sërish duke kërkuar nga Edi Rama të pranojë se ka dështuar. “Mjaft me shfajësime personale dhe fajësimin e të tjerëve z. Rama. Të gjithë janë lodhur me justifikimet e tua për dështimet e tua, gjithmonë duke mbrojtur veten, kurrë popullin tënd, asnjëherë gati të pranosh përgjegjësinë tënde. Fakti është, Europa të ka refuzuar. Ti ke dështuar”,- shkruan Basha.

Kreu i PD-së shton më tej se kupa me dështimet e Edi Ramës është mbushur dhe qytetarët do ta refuzojnë atë. “Kujt do t’ia hedhësh fajin për dështimin me shëndetësinë? Për ekonominë e shkatërruar? Kujt do t’ia hedhësh fajin për qeverinë tënde të korruptuar? Ka ardhur koha të pranosh përgjegjësitë për dështimet e tua. Është mbushur kupa. Europa të ka refuzuar, dhe shqiptarët do të refuzojnë”,- deklaron Lulzim Basha.