Konferenca e 41-të ndërkombëtare e komisionerëve të mbrojtjes së të dhënave dhe privatësisë

Konferenca e 41-të, Ndërkombëtare e Komisionerëve të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Privatësisë (International Conference of Data Protection and Privacy Commissioner– ICDPPC), që po mbahet në Tiranë, në datat 21-24 tetor 2019, është forumi më i rëndësishëm i bashkëpunimit dhe koordinimit të autoriteteve botërore mbikëqyrëse të së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale.

Është hera e parë që organizohet në një vend si Shqipëria një konferencë e të tilla përmasave, me pjesëmarrjen e më shumë se 700 delegatëve nga të gjithë kontinentet. Ky takim i përvitshëm u mundëson ekspertëve dhe profesionistëve të mbrojtjes së të dhënave personale, jo vetëm të shkëmbejnë ekspertizën dhe eksperiencën e tyre, por edhe të informohen në lidhje me aktualitetin në këtë fushë.

Si konferencë me synim promovimin e të drejtave të njeriut dhe sidomos, promovimin e të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësisë, ajo ndikon në ndërgjegjësimin e publikut për të njohur dhe zbatuar këtë të drejtë në nivelin të unifikuar në rang botëror. Konferenca Ndërkombëtare i zhvillon punimet e saj në dy pjesë, në 21-22 tetor 2019 mbahet sesioni i mbyllur, ndërsa sesioni i hapur i zhvillon punimet më 23-24 tetor.