Ikja e pashmangshme

Nga Ilir Levonja –

Nuk kishte gjë më të trishtueshme se fakti kur në një panel televiziv si Shihemi në Gjyq, një nënë shqiptare përpiqej të ndalte të birin për të mos braktisur atë dhe vendin, duke i fshehur pasaportën me qëllim për ta ndalur të mos ikte në emigrim. Arsyet ishin të drejta nga të dya palët, pavarësisht si njëra apo tjetra kishin tendenca egoiste, pra karshi vetvetes, por të trishtueshme në planin social.

Një debat ku një nënë do ta gëzoj fëmijën duke e parë të ndryshojë për mirë, të dashuruar, fejuar, martuar e me fëmijë, ndaj i përmend një copë tokë që edhe ajo nuk dihet kujt i përket. Ose më të fortit apo më tinzarit të fisit që vulos e firmos si do vetë, nga ai soj që shikon oxhakun e tij dhe në t’sëmës të tjerët nga trungu familjar. Një debat ku një, njëzetëvjeçar ngre duart lartë dhe thotë, çfarë të bëj unë këtu, më thoni ku të punoj, ku është puna? Me çfarë t’i gjëndem kësaj, e ka fjalën për të ëmën, me se ta ndihmoj etj., me se ta mbaj? Jemi në një shoqëri ku gruaja në masë të madhe është një pensioniste shtëpiake, konsumatore e telenovelave turke pa kuptuar asnjëherë se pensionimi real nuk është ky, nuk është fatura mujore karshi fëmijëve emigrantë, por puna e krahëve të saj. Dhe është e trishtueshme që një njëzetvjeçar ndihet që këtë prag jete i frustuar nga mendimi se duhet të punoj edhe për të mbajtur prindërit. Këto janë disa probleme që duan kohë të interpretohen, por unë po i përmend kalimthi. Dhe kur i përmend një pjesë e grarisë të mbysin duke të kujtuar se i kanë bërë kokën dhe e kanë për detyrë. Për më tepër kjo shtresë me ndërrimin e sistemeve nga 1990-ta e këtej. Pasi edhe ato që emigruan bënë ato lloj punërash që asnjë qeveri nuk ua njeh për shkak edhe të mos kontribuimit në arkat e sigurimeve shoqërore. Kurse ato që kapën një pension nga diktatura nuk u mjafton as për hapjet e kokës.

Megjithatë është një e vërtetë sociale, një plagë e madhe që pak zë vende në të përditshmen tonë televizive. Bota jonë televizive është e mbytur nga sukseset imagjinare të Erionit, nga sharmi i debatit politik, ky me shumicë, ku firmatot flasin për gjithçka veç për vetveten jo. Sikur bota televizive shqiptare të ishte me më shumë kohë me kësi probleme, kësi gjëra të së përditshmes në sytë e shqiptarëve me siguri realiteti jonë nuk do ishte 98% politikë. Ja përse është një dhimbje e madhe që një njëzetvjeçar i kërkon publikisht së ëmës, pasaportën dhe të mos e ndali. Fundi i ngjarjes dihet, rrugët janë aty maleve apo detit me gomone, mbase edhe me maune, pra një ikje e pashmangshme. Por edhe një nënë më shumë, një të vetmuar që pret me sytë nga rruga.