Ermonela Jaho vjen në Tiranë për një koncert bamirësie, Veliaj: Mision shumë fisnik për tetorin rozë

Sopranoja e famshme Ermonela Jaho, njëkohësisht ambasadore e YWCA në kauzën e “Fjongos Rozë” do të vijë në Tiranë për t’iu bashkuar zërit të vajzave dhe grave shqiptare në një koncert bamirësie. Të gjitha fitimet e koncertit, që do të zhvillohet më 22 tetor në orën 19:00 te salla e Katedrales Ortodokse në kryeqytet, do të shkojnë për organizatën YWCA për të mbështetur gratë me kancer gjiri.

Lajmin e ka bërë me dije kryebashkiaku Veliaj, i cili në një postim në rrjetet sociale shkruan se është shumë i lumtur që një talent i rrallë dhe një mike e çmuar si Ermonela Jahoi kthehet në Tiranë. Ai gjithashtu u bën thirrje të gjithëve që të mos e humbin këtë koncert, që padyshim do të jetë madhështor ashtu siç vetëm Ermonela di të jetë.

“Jam shumë i lumtur që një talent i rrallë dhe një mike e çmuar si Ermonela Jaho, kthehet në Tiranë për t’iu bashkuar zërit te vajzave dhe grave shqiptare në një koncert bamirësie. Ky koncert mbart një mision shumë fisnik që është mbledhja e fondeve për tetorin rozë. Merr mikeshat dhe mos e humb datën 22 tetor, ora 19:00, te salla e Katedrales Ortodokse. P.s Të gjitha të ardhurat e këtij koncerti do t’i kalojnë YWCA për punën e saj në ndërgjegjësim dhe mbështetjen për gratë e prekura”, – shkruan kryetari i Bashkisë së Tiranës në Facebook.