Dështimi me negociatat, Balla: Francezët nuk dinë çfarë kërkojnë

Sekretari i Përgjithshëm i PS Taulant Balla i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24” tha se Shqipëria ka vetëm plan A e nuk ka plan B për rrugën e saj për integrim europian.

Balla u shpreh se sa i takon negociatave, përgjigja e Bundestagut ka qenë PO, pasi përgjigje pozitive kishte edhe kancelarja Angela Merkel. Balla shtoi se francezët nuk dinë se çfarë kërkojnë.

Taulant Balla: Vendimi i Këshillit Europian ka qenë një vendim i kushtëzuar. Ka qenë kriter që të bëhet vettingu. E dyta ishte edhe ngritja e SPAK dhe ngritja e Byrosë së Hetimit. Procesi i bisedimeve për anëtarësim ka filluar që herët, u vendosën ca kushte për hapje negociatash e ne i plotësuam.

Agron Gjekmarkaj: Taulant, çfarë vlere ka propaganda nëse nuk ka rezultate konkrete?

Taulant Balla: Ne nga shtatori i 2018 kemi bërë një punë tepër të shkëlqyer. Kemi zhvilluar konferencë ndër-qeveritare. Vendimi i Bundestagut për mua ka qenë PO, sa kohë që kancelarja gjermane tha se unë kam PO të Bundestagut. Pra, gjermanët u kujdesën që gjithçka ta detajojnë. Është thënë qartë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk hapin negociatat, për shkak se kanë arsyet e veta ata të BE e nuk janë arsyet tona.

Agron Gjekmarkaj: Fjalimet i bën në parlament e jo këtu.

Taulant Balla: Këshilli Europian vlerësonte Shqipërinë për reformën në drejtësi, kurse Maqedoninë e Veriut për ndryshimin e emrit. Edhe francezët nuk e dinë se çfarë kërkojnë. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Edhe Serbia ka mbetur në vend e nuk hapen më kapitujt, edhe për Malin e Zi nuk po hapet kapitull derisa të ndajnë mendjen. Shqipëria ka vetëm plan A, nuk ka plan B. Ne duhet vetëm të përmbushim standardet që na kërkohet dhe kemi bërë detyrat tona.