Dështimi i Ramës me negociatat. 93 % e shqiptarëve presin zgjidhje nga opozita

Në muajin maj të këtij viti, një sondazh i zyrës së BE në Tiranë tregonte se 93% e shqiptarëve mbështesnin integrimin e Shqipërisë në BE. Nuk ka asnjë vend tjetër në rajon, veç Kosovës, ku projekti i integrimit të ketë mbështetje kaq masive. Por edhe pse gati gjithë shqiptarët duan më shumë se çdo gjë tjetër integrimin në BE, këto ditë Shqipëria mori goditjen me të fortë bllokuese për negociatat. Procesi i çeljes së negociatave, apo siç njihet ndryshe, hyrja në paradhomën e BE u bllokua. Sot nuk ka një datë apo afat të ri se kur mund të vendoset për Shqipërinë.

Në këtë situatë është e lehtë të sulmohet Franca, Holanda, Danimarka apo vende e tjera që janë kundër Shqipërisë. Por para se të nisim të kryeqëzojmë Emanuel Macron duhet të shohim se çfarë bëri qeveria shqiptare. Fakti është se refuzimi i negociatave, pavarësisht ambalazhit që iu vesh në Bruksel, erdhi prej qeverisë shqiptare. Mungesa e gjykatave kryesore në vend, mungesa e Parlamentit funksional, korrupsioni që ka kapur çdo segment të shtetit dhe kriza e rëndë politike që prej shkurtit të këtij vitit sollën dhe bllokimin e negociatave.

Me rrëzimin e Shqipërisë në Bruksel për negociata, qeveria ka dalë kundër dhe ka zhgënjyer 93% të shqiptarëve. Është dështimi më i madh që çdo qeveri, e majtë apo e djathë, ka bërë në këto 30 viteve. Pas një fiaskoje të tillë politike, diplomatike dhe reformuese të vendit, çdo qeveri normale, më e pakta do të kishte bërë atë që bëri Maqedonia e Veriut. Do thërriste qytetarët në zgjedhje për të marrë dhe një herë ose për të lënë mandatin. Por kjo qeveri nuk ka ndërmend të ndjekë aspirarat e 93% të shqiptarëve, por duket se mbahet në këmbë vetëm për një pakicë fare të vogël.

Kur mungon përgjegjësia politike dhe qytetare e një qeverie dhe kur dështimi është kaq i hapur sa nuk fshihet dot as me asgjë tjetër, çështja nuk është më se çfarë do bëjë qeveria, pyetja që qytetarët shtrojnë është: çfarë po bën opozita?

Integrimi në BE është kryereforma e Shqipërisë dhe për sa kohë Edi Rama ka dështuar, nuk ka më asnjë argument për të qëndruar më në pushtet. Jo vetëm nuk e integron dot vendin dhe e tregoi me refuzimin e BE 4 herë, por mesa duket kjo qeveri as nuk e do integrimin në BE.

I mbetet vetëm opozitës të tregojë, me përgjegjshmëri, se si do të vijohet me integrimin e vendit në BE. Një proces që tani nis vetëm me largimin e kësaj qeverie. 93 % e shqiptarëve që duan dhe ëndërrojnë futjen e vendit në BE, presin më shumë se deklarata dhe qëndrime të zakonshme nga liderët e opozitës.