Alibeaj: KLP totalisht e kapur politikisht

Ish-deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj ka hedhur akuza ndaj institucionit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

I ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora, Alibeaj tha se KLP është e kapur politikisht që nga kreu i saj.

“KLP e sotme, kam qenë i sigurt më parë, jam i prova  tashmë është totalisht e kapur politikisht, që nga kreu i saj. Asnjëri nga ata aty nuk del dot tej tutelës politike që i vendos kryeministri për ta ngritur një orë e më parë. Një gjë është e sigurt, sikur të ngrihet nesër SPAK me 10 prokurorë, çështja numër një e SPAK do të ishte ajo e zgjedhjeve. I pandehuri numër një do të ishte ai që përcaktonte objektivat. Organizatori i të gjithë procesit të vjedhjes së votave, prandaj ka frikë ta zgjedhë”, tha Alibeaj.

Sipas Alibeajt, SPAK nuk mund të ngrihet me 8 prokurorë, por ai argumentoi se është vetë Rama që nuk do që ky institucion të ngrihet.

“SPAK nuk ngrihet dot me 8 anëtarë. Sipas Kushtetutës dhe sipas ligjit të shkruar nga këta vet numri minimal duhet të jetë 10. Nga ata 10 duhet të zgjidhet kryeprokurori i SPAK e të vazhdojë procesi. Nuk është se nuk kanë pamundësi. Nuk kanë vullnet për ta ngritur. Për një arsye fare të thjeshtë. Në mars 2016 ishim ne opozita, pa u votuar  ndryshimet kushtetuese, thamë PO  nëse SPAK do të ishte zgjidhja e një drejtësie të re të pakapur ne ishim gati ta votonim. Jo më kot ligji i vetëm që votuam ne me konsensus ishte ligji i SPAK. Pse nuk duan ta ngrenë? Sepse i ka ardhur fundi pushteti i ka kapur paranoja”, tha ish-deputeti Alibeaj.