“Bomba” e Calderoni-t i prish festën Milanit, barazim zhgënjyes ndaj Lecces (VIDEO)

Stefano Pioli e ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme aventurën te Milani. Në ditën e ditëlindjes, skuadra e tij ka barazuar 2-2 ndaj Lecces. Kuqezinjtë e nisën mjaft mirë ndeshjen, duke kaluar në avantazh që në minutën e 20-të me Hakan Calhanoglu, që gjeti një kënd të lirë në portën e rivalëve.

 

Lecce kundërpërgjigjet në pjesën e dytë me Babacar, që ndalet fillimisht nga pika e bardhë nga Donnarumma, por më pas e ka të thjeshtë për ta shtyrë në rrjetë. Milani hedhë të gjitha kartat në fushë në kërkim të golit të avantazhit, që do të vinte 9 minuta nga fundit. Krzysztof Piatek bën atë që di të bëjë më mirë, duke dërguar topin në cepin e portës, për të lënë të shtangur portierin Gabriel.

Kur dukej se gjithçka ishte e mbyllur, Calderoni lëshon një bombë nga distanca, duke mos i dhënë asnjë shans reagimi portierit Donnarumma. Ky është barazimi i 10-të në stadiumin “San Siro” në historinë e përballjes mes tyre. /R.Lika-Koha Jone/