Ariu sulmon një person në Kukës, i shkakton plagë në trup e kokë

Një person është sulmuar nga ariu në Kukës. Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Sasat në fshatin Nangë. Personi që është sulmuar nga ariu ka marrë plagë në kokë dhe në trup.

Ekrem Onuzi ka arritur të njoftojë sallën e emergjencave, ndërsa pritet mbërritja e një helikopteri që do të bëjë të mundur transportimin e tij drejt spitalit. Personi i dëmtuar ishte me bagëti në zonë, ndërsa nuk dihet me saktësi vendi ku ai ndodhet. Por, pavarësisht gjendjes së rëndë shëndetësore i plagosuri ka mundur të ndezë një zjarr për të lokalizuar vendndodhjen.

“Është dëmtuar rëndë nga një arushë. Është një çoban. Për punë minutash pritet të ulet në Aeroportin e Kukësit një helikopter dhe do të shoqërohet nga banorët e zonës drejt vendit ku është bllokuar personi. Ngjarja ka ndodhur rreth një orë e gjysmë më parë. Janë marrë të gjitha masat për ta dërguar të dëmtuarin drejt Tiranës. Ai ka marrë dëmtime të shumta dhe nuk lëviz dot. Është banor i zonës. Gjallica ka shumë kafshë të egra. Nuk është i vetëm. Ka dhe banorë të tjerë atje. Kanë shkuar edhe të tjerët për ta ndihmuar. Kemi bërë të mundur nisjen e helikopterit ushtarak”, u shpreh Gjici, i kontaktuar në telefon afro 30 minuta pasi është informuar për këtë rast.