Alvini nuk është i vetmi, 51 fëmijë shqiptarë në kampet siriane

Historia e Alvinit, fëmijës shqiptar që ka mbetur i izoluar në një kamp sirian, ka rizgjuar përgjatë ditëve të fundit një fenomen mjaft shqetësues. Alvi nuk është i vetmi fëmijë që po vuan pasojat e veprimeve të prindërve. Gjatë vitit 2012-2014 brenda territorit sirian janë futur 31 fëmijë shqiptarë bashkë me prindërit e tyre, ndërkohë që 20 të tjerë kanë lindur në Siri.

Në 2014, në Siri u vra Shkëlzen Dumani, një shqiptar nga Peshkopia, ndërkohë që mbetën në kamp fëmijët e tij Eva dhe Endri Dumani, asokohe 8 dhe 9 vjeç. Dumani kishte disa muaj që ishte në Siri dhe luftonte me xhihadistët. Viktima ishte në kërkim nga krimet e rënda edhe për rekrutime të shqiptarëve për t’i çuar në Siri për të luftuar kundër qeverisë së Assad.

Një vit pas Dumanit do të ekzekutohej në Siri një tjetër shqiptar i radhës. Ervin Hasanaj, u vra nga organizata ekstremiste islamike e Shtetit Islam, ISIS. Ai ishte larguar drejt Sirisë që prej vitit 2013 së bashku me familjen e tij. Pas vdekjes së Hasanajt, familja e tij u mbajt peng në Siri. Ai la pas dy vajzat e tij të mitura Fatime dhe Esma Hasanajn, 4 dhe 2 vjeç.