Zjarr në një apartament tek Banesat Sociale në Shkozë (Foto)

Një apartament u përfshi nga flakët mëngjesin e sotëm në kryeqytet. Ngjarja në fjalë është regjistruar në një prej banesave sociale, pallatet e ofruar nga Bashkia e Tiranës në zonën e Shkozë.

Janë siguruar pamje nga apartamenti, që ndodhet në katin e fundit, ku shihet se si shtëllunga të mëdha tymi dalin nga dritarja. Mësohet se në banesë kanë qenë një grua me 3 fëmijet e saj, të cilët kanë shpëtuar mrekullisht.

Zjarrfikësit kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe e kanë penguar përhapjen e zjarrit në banesat ngjitur. Megjithatë, vetë familja ka pësuar dëme të shumta materiale, pasi thuajse gjithçka brenda në shtëpi është djegur.

Dyshohet se shkak i zjarrit është bërë një shkëndijë elektrike, por priten konkluzionet zyrtare.