UEFA: Rusia dhe Kosova nuk do të luajnë kundër njëra-tjetrës

UEFA nuk do të lejojë që Rusia të ndeshet me Kosovën në asnjë kompeticion europian për shkak të “rreziqeve mbi sigurinë”. Ishin vetë rusët që bënë hapin e parë, duke i kërkuar UEFA-s që të shtyhej ndeshja e futbollit të femrave mes dy përfaqësueseve për kualifikueset e Euro 2021. Takimi ishte programuar për t’u zhvilluar që në 4 tetor në Prishtinë. Pas kërkesës së Rusisë, ajo ndeshje, si edhe ndeshja e kthimit e programuar për datën 9 qershor 2020, u vendos që do të zhvillohen në “fushë neutrale”. Nisur nga ky rast, UEFA gjithashtu vendosi përfundimisht që të dy skuadrat nuk do të luajnë më kundër njëra-tjetrës në asnjë kompeticion europian të organizuar nga UEFA, deri në një njoftim të dytë. Rusia nuk e ka njohur Kosovën si shtet edhe pse ka shpallur pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por më parë, në turne të ndryshëm sportivë organizuar në Rusi, sportistë nga Kosova kanë marrë pjesë.