Sfidë dramatike në Shkodër, Çinari dhe Asani befasojnë Vllazninë në fund (VIDEO)

Skuadrat kryeqytetase janë kthyer në “makth” për Vllazninë. Kuqeblutë janë mundur 3-1 nga Partizanit në duelin e luajtur në “Loro Boriçi”, ku u ndëshkuan vetëm në minutat shtesë. Sfida nisi e qetë për të dy skuadrat, që 10 minutat e para i shfrytëzuan për të studiuar vendosjen dhe strategjinë e njëra-tjetrës, ndërsa Shkëndijën e parë e dha Partizani me një goditje dënimi të ekzekutuar nga Trashi, por topi u prit në dy kohë nga portieri Sherri,

 

Në minutën e 14-t ishte një tjetër tentativë e “të kuqve” me anë të Çinarit nga distanca, ndërsa portieri Sherri nuk e zotëroi topin si duhet dhe nga kjo situatë përfitoi Ëillian Cordeiro, që u la i lirë nga Gligorov dhe dërgoi sferën në rrjetë. Reagimi i shkodranëve ishte i menjëhershëm dhe në minutën e 18-të ishte mesfushori Ardit Krymi që shtyu topin në rrjetë duke shënuar golin e barazimit, në kohën kur Alban Hoxha grushtoi gjuajtjen e kapitenit Gilman Lika nga distanca.

Edhe pjesa e dytë ishte e balancuar, me të dy skuadrat që luftuan shumë për çdo top, teksa Vllaznia i shkoi pranë golit me një gjuajtje të rrezikshme të Shtubinës, por topi u grushtua nga gardiani i Partizanit, Alban Hoxha. Tentativën e fundit për vendasit e bëri kapiteni Gilman Lika, që provoi sërish aftësitë e Alban Hoxhës me një gjuajtje nga distanca, por edhe këtë herë gardiani i “ të kuqve” grushtoi saktë, duke mbajtur në lojë të tijtë.

Më pas në fillim të minutave shtesë, nga një aksion pa pretendime i kryeqytetasve, Eraldo Çinari u shërbye brenda zonës, nga ku gjuajti menjëherë duke mposhtur për herë të dytë në këtë takim portierin Sherri. Në fundin e ndeshjes do të kishte kohë edhe për një gol të Jasir Asanit, që vulosi triumfin e skuadrës së të kuqve.