Se s’ bëhemi si e gjithë Evropa e dinim, por se ajo do bëhet si ne, nuk e besonim!

Nga: Kim Mehmeti

Edhe gjatë dështimeve të mëdha kolektive, s’ka si mos e kesh më lehtë kur e sheh se të përfaqëson një burrështetas që sadopak mbanë llogari për dinjitetin kolektiv, që është i përgjegjshëm e i ndërgjegjshëm dhe i cili, fatin e vet politik, nuk e vë mbi atë të vendit që drejton dhe të qytetarëve që përfaqëson.

Dhe Kryeministri i Maqedonisë, me paralajmërimin për zgjedhje të parakohshme, tregon se vetvetja nuk i dhimbset më shumë se shteti dhe populli.

Njësoj siç s’ka si mos ndjehesh i mjerë si shqiptar, kur i dëgjon këto paçavuret e BDI-së, përndryshe pjesë e koalicionit qeveritarë në Maqedoni, si mundohen të dëshmojnë se nuk kanë kurrnjëfarë përgjegjësie për mos hapjen e negociatave me Brukselin, edhe pse thuajse dy dekada me radhë, e vinin në gjumë popullin me ninullën për lumturinë që do na e ofrojë BE-ja, pra nuk ka si mos ndjehesh i mjerë kur i dëgjon drejtuesit e BDI-së të sillen të pafajshëm, thuajse jo kryetari i kësaj partie, por ai i Francës, publikisht është akuzuar për ryshfetmarrje të milionave euro?

Njësoj pra siç është a pamundur ta flakësh ndjenjën e të mjerit dhe të të pashpresit kur e sheh si mëmëdheu yt ka rënë në duart e Piktorit, i cili sa nuk thotë se BE-ja nuk ia hap dyert e pranimit Shqipërisë jo pse qeveria e tij është bërë turpi i shqiptarisë, por pse Parisi nuk mund t’u konkurrojë vlerave të tij artistike.

Dhe në ndërkohë, të gjithë ne sot sillemi thuajse nuk e kemi ditur se BE-ja i ka të gjitha: miqësinë shekullore francezo-serbo-ruse, ksenofobinë, anti islamizmin, dëshirën që të mbetet klub ku mundë të hyjnë vetëm ata që e kanë kryqin e varur në qaf…, por ku, duhet pranuar, mbisundojnë ligjet dhe e drejta, barazia mes njerëzve. liria, humanizmi…, pra vlerat më civilizuese njerëzore, si askund tjetër në këtë rruzull tokësor.

Dhe në atë Evropë ne u nisëm duke brohoritur ‘Duam të bëhemi si e gjithë Evropa”. Por rrugës për atje ndodhi që jo vetëm këngëtaret tona të besojnë se rruga drejtë famës evropiane me lehtë hapet me prapanicën cullak, por edhe burrështetasit si Piktori dhe shokët e tij, të besojnë se Evropa të çmon nëpërmjet brekusheve që vesh, e lapsave që ke në xhepin e xhaketës, e jo nëpërmjet projekteve për të ardhmen që ke në kokë.

Por sidoqoftë, ne s’kemi pse t’i hidhërohemi BE-së. Më në fund duhet ta pranojmë: se s’ bëhemi si e gjithë Evropa e dinim, por se ajo do bëhet si ne nuk e besonim. Pra ne e dinim se cili është fati i një populli të lënë në duart e politikanëve hajdutë e kriminelë, por nuk e besonim se Evropa nuk din si t’ia del me ta. Edhe atë jo që të na mbrojë neve, por për arsye të saja higjienike dhe, që të mos e bjerë punën që popullit shqiptarë t’ia ngre gishtin e mesëm, me çka hapur do e parnojë se pakthyeshëm është nisur rrugës së ‘ballkanizimit’ të vet!