Pa kaluar 24 orë, Cakaj në konferencën e dytë

Pas refuzimit të Këshillit të Ministrave për çeljen e negociatave të anëtarësimit, kryeministri Edi Rama dhe Gent Cakaj, ministër i Jashtëm në detyrë, dolën në një konferencë për shtyp. Pa kaluar 24 orë nga konferenca e parë, Cakaj njofton se do të dalë sërish përpara mediave. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka njoftuar se Cakaj do të dalë sot në orën 11:30 në një konferencë për shtyp.

Kujtojmë që ministri ishte i pranishëm edhe në konferencën e mbajtur ditën e djeshme nga Rama, por ku nuk pati mundësi të bëntë ndonjë deklaratë. Kryeministri në konferencë u shpreh se vendimin për mos hapjen e negociatave nuk e konsideron si dështim të qeverisë së tij, por e cilëson si pasojë të problemeve të brendshme të Bashkimit Evropian. Zëra brenda spektrit politik kërkojnë të paktën dorëheqjen e ministrit, për të mbajtur një përgjegjësi morale.

Cakaj reagoi edhe dje në llogarinë e tij në “Facebook” duke u shprehur: “Mungesa e konsensusit në Këshill për çeljen e menjëhershme të negociatave për anëtarësim me Shqipërinë nuk vjen si rrjedhojë e interpretimeve kundërthënëse lidhur me progresin e vendit, por si pasojë e vizioneve të ndryshme për reformën strukturore të Bashkimit Evropian në përgjithësi.