Juventus fiton me vuajtje ndaj Bolognës, vendosin Ronaldo dhe Pjanic (VIDEO)

Juventus nuk di të ndalur në Seria A. Kampionët e Italisë kanë fituar me vështirësi 2-1 ndaj Bolognës në duelin e javës së 8-të. Në minutën e 19-të, Cristiano Ronaldo merr një top në hyrje të zonës dhe me një finte të bukur arrin që të krijojë hapësirën e nevojshme për të gjetur cepin e portës së kundërshtarëve.

 

Reagimi i Bolognës erdhi menjëherë me Danilon, i cili ka shënuar një gol të bukur me një goditje të shpejtë në zonë, duke befasuar portierin Buffon. Skuadra torineze shtoi presionin në kërkim të golit të avantazhit, por pjesa e parë do të mbyllej në barazim.

Në fillimin e pjesës së dytë, Miralem Pjanic shënoi golin e dytë, pas një rrëmuje në zonën e skuadrës së Bolognës. Ekipi i Sarrit krijoi të tjera mundësi të mira shënimi me Khedirën dhe Ronaldon, por portieri Skorupski bën pritje mjaft të mira. Juventus ruan kryesimin me 22 pikë. /R.Lika-Koha Jone/