Edi, mos e jep aspak dorëheqjen! As zgjedhje parlamentare mos bëj!

Shqipëria ishte si delja e zezë në Bruksel për dy ditë. Në fakt Tirana zyrtare dogji edhe Maqedoninë e Veriut të kryeministrit Zaev, i cili bëri atë që nuk mund të bëhej nga asnjë politikan, ndërroi emrin e shtetit të tij që të mos kishte probleme me Greqinë.

Pak më parë se Franca, ishte Gjermania e cila votoi në parlamentin e saj pranimin e Maqedonisë së Veriut pa kushte dhe Shqipërinë pasi të plotësonte 9 kushte thelbësore demokracie. Nëse kjo do miratohej në Bruksel nga krerët e shteteve të BE do të ishte një minus i madh për kryeministrin Rama, por ama kishim në horizont negociata. Por për fat të Edi Ramës doli presidenti Macron, që edhe për interesa politike personale, edhe për frikën nga demokracia problematike shqiptare tha një “JO” të fortë dhe bllokuese.

Këtë donte Edi Rama!

Sepse nëse pranohej varianti gjerman, Edi Rama nuk kishte si vinte në Tiranë pasi vala e protestave popullore do ta dërmonte se do t’i thonin se “Maqedonia pranohet pa kushte, kurse ne me 9 kushte!”

Edi Rama do të ketë fërkuar duart dhe thuhet se i është lutur Macron se “mos na prano asnjërin shtet dhe jemi OK, pra më ke shpëtuar”.

Dhe vërtet e shpëtoi Edi Ramën vetëm presidenti Macron.

Tani kryeministri Rama është në sulm dhe nën justifikim: Nuk deshi Franca se kishte problem lidershipi me Gjermaninë!

Dhe nuk munguan edhe një valë komisionerësh dhe ish-komisionerësh që kanë ngrënë në trastën e Rilindjes nga kanabisi shqiptar. Edhe ata morën komandën: FLISNI!

Tani Edi Rama nuk ka nevojë të japë dorëheqjen, bile as zgjedhje të parakohshme nuk duhet të bëjë!

Bile më e mira do të ishte që as zgjedhje në vitin 2021 të mos zhvillojë.

Le t’i mbajë vetëm të gjithë pushtetet. Populli ka mirëqënie, ka punë, ka lekë, krim nuk ka, oligarkët janë tërhequr në pushim pasi kanë marrë gjithçka. Mafia po pushon derisa të fillojë sezoni i ri i mbjelljes së kanabisit. Opozitë ka të nivelit Hahnian apo Flekenshtejn, me Kujtim Gjuzin dhe Rudina Hajdarin.

E pse të japë dorëheqjen Edi Rama?!

Aspak! Aty rri, o Mbreti ynë!

S.P.