Edhe këtë herë Europa foli qartë. Problemin e keni në vendin tuaj

Nga Vili Minarolli*

Më vjen keq për vendin tim! Sinqerisht! Na u refuzua për të disatën herë hyrja në Europë. Na u fashit ëndrra që kishim kur u ngritëm për pluralizëm politik. Hyrja në Europë do i jepte popullit më shumë sovranitet dhe fuqi ndaj padrejtësive të lidershit politik. Kjo do të bënte që qeveria, ose kreu i saj, të mos e trajtonte këtë vend si pronën e tij dhe këtë popull si skllav.

Qeveria aktuale ka gjashtë apo shtatë vjet që e pengon. Ashtu siç e pengoi me të vetmin kusht që kishin para shumë vitesh, për votimin në Kuvend të tre ligjeve. Atë kohë nuk kishim as azilkërkues si sirianët, nuk kishin as vjedhje votash, as drogë që mbushnim Europën… asnjë nga kushtet që vuri parlamenti gjerman. Ashtu siç kërkoi të pengonte me anë të (të të punësuarve) emisarëve të saj lëvizjen e lirë, që shqiptarët e kishin që nga koha e Mbretërisë.

Zoti Meta bëri një marrëveshje me partinë simotër të saj me kushtin e vetëm të miratimit të tre ligjeve, që Europa të na hapte dyert saj. Ligjet u miratuan po ishin bërë më parë pazaret me komunistin Fyle. Thjesht “më jep-të jap”. Ai moi 85 milionë euro dhe bëri një premtim pa asnjë vlerë si kreu i Komisionit të Zgjerimit. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe këto pesë vjet pasuesit e tij, një tjetër komuniste e devotshme.

Unë e njoh mirë mekanizmin që vepron tek teknicienët burakratë të Komisionit Europian, ashtu siç vepron edhe tek shumë eurodeputetë. Me anësime për shkak ideologjie. Ashtu siç kundërshtoi nëe eurodeputete, ish-krushka e firmosjes të bashkimit të dy partive të majta shqiptare ,pas Vetos të Francës, por jo vetëm.

Eurodeputetë të joshur me “më jep-të jap” vinë për të mashtruar shqiptarët dhe mbrojtur keqbërësit e Shqipërisë, dhe me çantat e mbushura plot me euro largohen të përcjellë nga eskorta qeveritare. Apo nga ata diplomatë që një dorë e kujdesshme i emëron në vendin tonë dhe pas mbarimit të mandatit për t’u larguar nga shërbimi diplomatik, se nuk u duhet të bëjnë një punë tjetër. Si shpërblim të heshtjes së tyre, kobzezë për vendin dhe popullin që i shikonte në dritë të syrit.

Para tridhjetë vjetësh pushteti i burgoste dhe i pushkatonte kundërshtarët politikë. Sot nuk të lë Europa (kjo është një e mirë që na ka sjellë). Po sa ishte në opozitë nuk kishte hequr dorë nga trashëgimia nga vinin. Katër fatkeqë që kishin besuar në një ide dhe i kishin besuar një propagande, u vranë pa asnjë faj, nga një njeri i shtetit që sot po gëzon shpërblimin e punëdhënësit.

Gjermania e do vendin tim dhe kushtet që vuri kishin të bënin vetëm me ne dhe jo me probleme të Europës. Pranime me ato kushte të hapjes të negociatave do të ishte një fitore për popullin dhe futja e dy këmbëve në një kepucë për ata që na drejtojnë. Kjo do të ishte humbje e sovranitetit të KM për të vazhduar ta shohë vendin si domen të tij. Dhe në qoftë se ai nuk i plotësonte, atëherë e drejta i kalonte popullit për të vendosur për fatet e tij. Kancelarja Merkel i do shqiptarët kur u tregon se ç’duhet të bëjë qeveria e tyre. Ashtu si edhe Presidenti Makron, që do më shumë popullin e tij se azilkërkuesit shqiptarë, që kanë zgjedhur këtë rrugë për të shpëtuar nga e keqja.

Para disa ditësh, KM shqiptar dhe Presidenti Vuçiç bënë një shou mediatik që unë e përktheva si një mesazh që KM i jepte Europës në rast dështimi. Duke defaktorizuar Kosovën (Merkel nuk e bëri një gjë të tillë në Trieste), ai kërkonte të kishte pro votat e vendeve që nuk e kanë njohur si shtet të pavarur, por edhe më tej. Me atë marrëveshje të stisur ai i hapi rrugën e tregut shqiptar për mallrat serbe, që deri tani më shumë futeshin nga dritarja, nëpërmjet shqipfolësve antishqiptarë. Ç’farë prodhon vendi që të importojë në Serbi? Vetëm drogë dhe krim që Serbia nuk e ka të pakët. Kush e ka penguar KM që të hapë tregun me Kosovën, siç po bën me mikun e tij antishqiptar? Ky do të ishte hapi i parë. Një minishengen midis Kosovës dhe vendit tonë do krijonte një treg shqiptarësh me pesë milionë banorë, para çdo marrëveshjeje tjetër. Nga të gjashtë shtetet, vetëm Kosova nuk e ka statusin për lëvizjen e lirë, dhe penguesi kryesor është Serbia, që KM e miklon me ndryshimin e kufijve. Prandaj punësoi si altoparlantin e tij atë mashtruesin ordiner, sikur mungonin njerëzit e mençur në Shqipëri dhe Kosovë.

Edhe këtë herë Europa foli qartë. Problemin e keni në vendin tuaj.

* Vili Minarolli, ish-ambasador dhe ish-deputet