E BUJSHME/ Juventus kërkon mbrojtësin e kombëtares sonë, Marash Kumbulla

Nuk e kishte parë as në ëndrrën më të bukur te jetës së tij. Marash Kumbulla në harkun e dy muajve ka njohur një rritje të jashtëzakonshme në karrierën e tij si futbollist profesionist. Fillimisht erdhi debutimi në Seria A dhe më pas sigurisht gjithçka ishte në dorën e tij për të treguar talentin e madh që ka. Provat e shkëlqyera ndaj Milanit, Juventusit, por mbi të gjitha ndaj Bolognës kur gjeti edhe një gol historik, kanë bërë që në Itali të gjithë të flasin për të.

 

Por jo vetëm kaq, së fundmi në Itali, skuadra që po dominon gjithçka në sezonet e fundit, ka nisur interesimin konkret për të. Skuadra bardhezi do të ketë vëzhgues në ndeshjen mes Napolit dhe Verona-s. Drejtuesit bardhezi kanë vendosur që ta ndjekin nga afër provën e super talentit shkodran ndaj një kundërshtari të fortë, teksa deri më tani ka shfaqur personalitetin e një veterani dhe shumë fizik. Ai është kthyer në një nga pikat e forta në skuadrën e Juric, duke qenë skuadra e dytë që ka pësuar më pak gola deri më tani.

“Zonja” nuk është skuadra e vetme, pasi edhe Fiorentina ka shfaqur interes konkret për të. Mediat në Itali shkruajnë se nuk përjashtohet mundësia që Juventusi mund ta bllokojë që në janar, për të “djegur” konkurrencën me rivalët. Verona tashmë duhet të fillojë të mendojë për përfitimin ekonomik që mund të ketë nga shitja e mbrojtësit shqiptar. /Rozalb Lika-Koha Jone/