BE: Jo Negociata! Lulzim Basha: Rama, shporru!

Kryeministri tha dje se nuk e kemi fajin si qeveri shqiptare, porse ishte presidenti francez që na bllokoi për hallet e tij me BE! Një justifikim krejt absurd ky i Edi Ramës, sepse nëse Shqipëria do kishte demokraci funksionale dhe që zbaton ligjin nuk kishte Macron apo Merkel që e pengonte. Kryeministri Rama, më së paku, duhet ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Në të kundërt opozita duhet të pushtojë sheshin para kryeministrisë.

Këshilli i Europës vendosi dje zyrtarisht të mos hapë negociata për Shqipërinë. Franca vendosi veton për Shqipërinë duke argumentuar se problemet me azilantët shqiptarë dhe problemet e tjera që ka Shqipëria kërkojnë reformimin e procedurave për gjithë procesin e negocimit. Në të njëjtën linjë me Francën ishin dhe Holanda, Spanja dhe Danimarka, të cilët mbështetën dhe idenë e dhënies së negociatave për Maqedoninë dhe bllokimin vetëm të Shqipërisë. Ndërhyrja e Gjermanisë, Itali dhe Greqisë për mos të lejuar ndarjen e vendeve solli që Këshilli Europës të mos dalë me asnjë vendim zyrtar. Në dokumentin final të 28 vendeve të BE për zgjerimin ka vetëm dy rreshta ku thuhet se; “çështja e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Verit” do të diskutohet para majit 2020. Dokumenti nuk saktëson nëse deri në muajin maj do hapen negociatat apo BE do nisë një procedurë të re për vendet kandidate. Zyrtarisht nuk ka datë negociatash dhe as procedurë se çfarë do të bëhet me Shqipërinë.

Ajo që ndodhi dje në Bruksel me qëndrimin e Francës dhe vendeve të tjera është skenari më i keq për Shqipërinë. Pas gati 30 vitesh nga nisja e procedurës zyrtare për integrimin në BE, Tirana zyrtare ka marrë goditjen më të rëndë. Dje nuk pritej anëtarësimi, por konfirmimi për vijimin të sigurt në rrugën drejt BE. Me bllokimin e procesit, zyrtarisht jo vetëm mbetemi jashtë portave, por nuk ka më as udhërrëfyes të BE se cili do të jetë hapi i radhës që duhet të bëjë Shqipëria. Vendimi i BE nuk është i papritur dhe jo pa përgjegjës konkret. Kryeministri Edi Rama, gjithë qeveria dhe deputetët e PS kanë nisur një sulm frontal ndaj Francës dhe Presidentit të saj, Macron. Në gjithë format e mundshme ironizohet dhe kalohet përgjegjësia e hapjes së negociatave të vetoja franceze. Sigurisht që nuk kishte dashamirësi në qëndrimin e Francës ndaj Shqipërisë. Qytetarët shqiptarë e meritonin hapjen e negociatave dhe BE-ja duhet të jepte një vendim pozitiv, pasi në këtë mënyrë kontrolli i Brukselit ndaj qeverive në Tiranë do të ishte më i madh. Por të justifikosh dështimin me negociatat vetëm me qëndrimin e Francës dhe sherret që kanë vendet e BE me njeri-tjetrin është më e pakta papërgjegjshmëri politike e qeverisë “Rama”. Në deklaratën e dhënë pas vendimit, kryeministri Edi Rama dukej si politikani më i lumtur për vendimet e marra në Bruksel. Ai deklaroi se negociatat nuk u hapën pasi Franca nuk ra dakord me Gjermaninë për problemet e tyre. Në këtë linjë, Rama shpjegoi se qeveria e tij ka bërë të gjitha reformat e kërkuara, po nuk mund të zgjidhë problemet brendshme të Bashkimit Europian. Pra, për kryeministrin këtë herë, si çdo herë tjetër në fakt, faji për mos hapjen e negociatave nuk është i qeverisë së tij, por i Emanuel Macron. Kapja pas deklaratave të Macron, i cili tha se duhet reformuar sistemi i BE është vetëm gjysma e së vërtetës. Reformimi që përmendi presidenti i Francës lidhej pikërisht me Shqipërinë, azilantët dhe problemet e tjera. Në 5 minuta që ai foli për procesin e zgjerimit, 3 prej tyre ju kushtuan problemeve të Shqipërisë. Shprehja “keni patur arritje, por nuk mjaftojnë dhe keni ende probleme” shpjegon se ishin pikërisht problemet e qeverisë “Rama” që sollën vendimin për bllokimin e integrimit. Justifikimi i qeverisë dhe kryeministrit se ne i bëmë detyrat është thjesht fshehje e të vërtetave që penalizuan Shqipërinë.  Aktualisht Shqipëria s’ka gjykatat kryesore në vend, nuk ka parlament funksional dhe shtyllat e demokracisë janë goditur rëndë. Mjafton vetëm 30 qershori, zhvillimi i zgjedhjeve si në komunizëm, për të kuptuar që pas problemeve që përmend Franca fshihet realisht dështimi i parimeve demokratike me qeverinë “Rama”. Por Edi Rama mendon se nuk është faji i qeverisë së tij, po i BE-së e Francës. Shqiptarët nuk ja ndryshojnë dot mendjen BE dhe Francës, por mund të ndryshojnë qeverinë e tyre që ta shohë në mënyrë me reale çështjen e integrimit. Lulzim Basha paralajmëroi dje shtimin e aksionit opozitar, duke etiketuar Edi Ramën dhe qeverinë e tij si përgjegjësit kryesorë për negociatat. Sipas Bashës situata në Shqipëri nuk mund të vazhdojë më të jetë në këtë gjendje. “Në emër të opozitës dua  të konfirmoj se ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për të mos e pranuar gjendjen e sotme që është tërësisht dhe kryekëput përgjegjësi e një njeriu i cili sot po të kishte vendosur për një sekondë interesat e shqiptarëve para të vetave do kishte dalë të jepte dorëheqjen, por sigurisht që nuk e prisnim sepse e dimë. Ne nuk presim më, nuk kemi përse të presim më. Rruga është e qartë, ne kemi vendosur që të bashkojmë të gjithë shqiptarët, për ndryshimin që Shqipëria meriton”, deklaroi Basha.

Dështimi i projektit europian nuk duhet trajtuar më si një ndeshje futbolli, ku skuadra jonë nuk pati fat. Bllokimi i këtij projekti kërkon përgjegjësi direkte të qeverisë. Sepse nuk na a ka fajin Franca, Holanda apo kushdo tjetër, por fakti që pas 30 vitesh nuk shkojmë në BE si shtet serioz, por si qeveri e korruptuar dhe e paaftë që lyp mëshirë.

Mili Xhani