Aksioni i OSHEE, 8 abonentë kapen duke vjedhur energjinë. Ja skema që përdornin

Tetë abonentë po procedohen penalisht, pasi akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike. Kështu, në 5 ditët e fundit janë kryer mbi 300 kontrolle të posaçme nga strukturat pranë Drejtorisë Rajonale OSHEE Tiranë për “verifikimin dhe matjen” e energjisë elektrike, në zbatim të ligjit dhe procedurave përkatëse.

Nga kontrollet këtyre ditëve janë zbuluar këta abonentë që vidhnin energji elektrike përmes skemave të ndryshme, kryesisht “ndërhyrje në matës”, duke ulur gjendjen e konsumit apo mosregjistrim real të konsumit të kilovatëve. Mes tyre, janë proceduar 4 abonentë që ushtronin aktivitet privat, ndërsa zonat ku janë zbuluar shkeljet janë kryesisht në “Tirana e Re” dhe “Don Bosko”.

“Rastet e konstatuara janë raportuar pranë organeve kompetente ligjzbatuese, referuar nenit 137 të Kodit Penal, sipas të cilit “Çdo ndërhyrje tjetër e paligjshme dhe e paautorizuar në sistemin e matjes apo në rrjetin elektrik, me qëllim përfitimi të paligjshëm, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim deri në tre vjet”. OSHEE vijon t’u bëjë thirrje abonentëve të zgjedhin rrugën ligjore të pagesës së detyrimeve dhe të shmangin abuzimet, pasi kontrollet do të vijojnë pa toleruar askënd”, thuhet në njoftimin e OSHEE.