Agron Duka: Zaev dha dorëheqjen, Rama jo. Shqipëria në një udhëkryq të madh

Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka me anë të një statusi në “Facebook” shkruan se kryeministrii maqedonas Zoran Zaev e dha dorëheqjen pasi Maqedonia e Veriut dështoi të hapë negociatat me Bashkimin Europian, ndërsa Rama nuk e bëri këtë gjë.

Duka vlerëson se Rama jo vetëm që nuk dërgon vendin në zgjedhje të parakohshme, por nuk ka gguxim as të dënojë ata që vodhën votat gjatë zgjedhjeve të vitit 2017. Agron Duka shprehet se Shqipëria duhet të bëjë shumë për të përmbushur kushtet e Bundestagut, të cilat do të hapnin dritën jeshile për Shqipërinë drejt BE-së.

Postimi i Agron Dukës:

Teksa këtu rreken ende të gjejnë fajtorin diku tjetër, e të mos mbajnë përgjegjësi për asgjë, kryeministri i Maqedonisë së Veriut ka propozuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Sepse një demokraci bazohet mbi një pakt që nis ditën e zgjedhjeve, e kur ky pakt midis votuesit dhe të zgjedhurit nuk respektohet, nuk jep dorëheqjen populli por politikani.

Ka shumë arsye pse Zaev shkon në zgjedhje të parakohshme, dhe kryeministri ynë jo, megjithatë kryesorja është se në 2017 nuk pati zgjedhje. Në 2017 ndodhi ajo që dëgjuam në përgjimet e publikuara në Bild, në 2017 u grabit vota dhe bashkë me të e ardhmja europiane e shqiptarëve.

Nuk duhet pritur që orkestruesit e kësaj grabitje të ndërgjegjësohen, as të japin dorëheqje për dështimet e njëpasnjëshme, as që kryeministri të imitojë Zaevin ashtu siç imitoi mikun tim Dash Shehi, pasi kontratën nuk e kanë me shqiptarët.

Prandaj, të gjithë, jemi përballë një udhëkryqi të madh.

Sigurisht rruga e propozuar nga ne si opozitë nuk është e lehtë, jo vetëm sepse situata në të cilën ndodhet vendi nuk zgjidhet me shkopin magjik, por sepse përgjigjet e lehta do të riciklonin krizën në rastin më të parë.

Nuk është e lehtë sepse nuk është vetëm protestë por edhe alternativë. Propozimi ynë kërkon që zgjidhja përfundimtare e krizës të kalojë nga ndryshimi i kushteve që e shkaktuan atë, nga ndëshkimi i krimit zgjedhor nëpërmjet zbatimit të platformës me 9 pika të miratuar nga miqtë tanë të Bundestagut. Një platformë që përfaqëson yllin polar të orientimit politik të opozitës dhe alternativën e vetme për të gërshetuar serish fatet e Shqipërisë me ato të BE-së.