Negociatat, Lulzim Basha: Sot Edi Rama duhet të kishte dhënë dorëheqjen

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e cilësoi mos hapjen e negociatave si dështimin më të madh të një qeverie në 30 vitet e fundit.

Basha tha se varianti më i mirë për Shqipërinë ishte propozimi i Gjermanisë me 9 kushte, por qeveria “Rama” ka dështuar deri në pikën që nuk i hapen negociatat.

“Ju e dini fare mirë se PD dhe unë personalisht jemi përpjekur në takimet me CDU-në në Bundestag që ta transforminim JO-në e tyre në një proces kushtëzimi që do të mundësonte reformat dhe “po”-në e negociatave. Ta themi qartë, dëshironim të kishim një rezultat ndryshe sot, por nuk prisnim më mirë sesa Bundestagu vendosi para 2 javësh. Shqipëria nuk mund të merrte një “po” të prerë”, tha Basha.

Basha theksoi se “ka një përpjekje për ta shitur atë të sotmen si një përplasje mes vendeve të BE dhe jo si një keqqeverisje”. “Në këtë gjendje nuk ta hap askush derën e negociatave. Këtë ta thotë edhe qytetari më i zakonshëm në fshatin më të largët, sepse vendi nuk po qeveriset, por po sundohet. Kjo është e vërteta”, tha kreu i PD-së.

Lulzim Basha tha se nëse Rama do vendoste interesin e shqiptarëve para të vetit sot duhet të dilte të jepte dorëheqjen. “Në emër të opozitës dua  të konfirmoj se ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për të mos e pranuar gjendjen e sotme që është tërësisht dhe kryekëput përgjegjësi e një njeriu i cili sot po të kishte vendosur për një sekondë interesat e shqiptarëve para të vetave do kishte dalë të jepte dorëheqjen, por sigurisht që nuk e prisnim sepse e dimë. Ne nuk presim më, nuk kemi përse të presim më. Rruga është e qartë, ne kemi vendosur që të bashkojmë të gjithë shqiptarët, për ndryshimin që Shqipëria meriton”, deklaroi Basha.

Lexoni edhe…