Mjaft mallkuat Francën, Pigalin e keni në Shqipëri!

Nga Ilir Levonja –

Aty nga mesi i shtatorit, u arrestua një nëpunës i kadastrës në Durrës. Nuk po e them emrin pasi nuk është thelbi personi, por ngjarja dhe metodat antiligjore të vet shtetit aktual apo qeverisë aktuale. Qe ky një arrestim i bujshëm që e bëri kryeministrin e vendit të bënte zbulimin e radhës KÇK-ën apo grupimin e gjyqtarëve ku sipas të cilit me që janë orët e fundit të vettingut, që nuk kalojnë atë, kapim çfarë të kapim, me një fjalë zhvasin ku të mundin dhe sa të mundin. Sipas tij viktima ishte ky punonjësi i kadastrës në Durrës. Dhe se për ta përforcuar këtë ca orë më pas në sallën e gjyqit do shfaqej gjithë vetulla e buzë shtrënguar zëvendësi i tij ose zëvendëskryeministri i shqiptarëve Erion Braçe. Një nga ato kërcënimet e hapura kur qeveria i fut duart me dhunë në punët e drejtësisë, megjithëse ka ardhur në pushtet me premtimin për një reformë rrënjosore të saj, por me paratë e Amerikës. Nga ana tjetër për gjithë ata gjyqtarë të rrëzuar ka sulmuar ashpër qeveritë e mëparshme qofshin ato të PD-ës apo të PS-ës, tranzistoret apo të shpëtimit a pajtimit kombëtar, si fabrika të prodhimit të gjyqtarëve të korruptuar. Sipas shtypit të sotshmen Gjykata e Apelit në Durrës e liron me kusht këtë punonjës të Kadastrës. Ndërhyrja e drejtpërdrejtë e km në një arrestim a gjykim flagrant me siguri na çon të mendojmë se ky nëpunës duhet të jetë një xhevahir. Sepse siç e dini një arrestim a një ndalim personi është punë në grup, fillon nga kallëzimi, organi i akuzës pastaj ai i gjykimit dhe i mbrojtjes. Them se duhet të jetë xhevahir pasi kanë ndodhur plot arrestime administrate, km ose ka heshtur, ose ka bërë ka deklaruar se nuk merret me organet e drejtësisë. E bëri këtë me ish ministrat e tij të brendshëm Tahiri e Xhafaj. Po me sa duket pesha e këtij nëpunësi kalon atë të ministrave. Gjithsesi sot në opinionin shqiptar kjo ngjarje nuk përbën aspak lajm. Ka një shfrymë pështymash karshi Francës dhe Makronit, një shfrymë me solidarizim sa shqiptarët po merren me karikaturat e zonjës së parë franceze dhe moshën e saj. Ka një shfrymë mallkimesh duke i kujtuar Francës të shkuarën se ka qënë pikërisht ajo që i ka ndarë shqiptarët. Kanë filluar një dashuri të madhe me Gjermaninë, megjithëse kanë plot 30 vjetë që grinden për datën se kur e braktisi gjermani i fundit fushën e Shtojit në Shkodër, më 28 apo 29 nëntor 1944. E harruan Hollandën që ka gjithë vitin që deklaron një Jo të prerë etj. Ka një solidaritet të shfrenuar që i shkon kaq për shtat pikërisht dështimit të tyre, pa e kuptuar asnjëherë se ndërhyrje të tilla të drejtëpërdrejta të km e zëvendësit e tij, shto dhe fiaskot ekonomike, informalitetin, janë një fiasko e madhe për të qënë partner të komunitetit europian. Ka një shfrymë që bëjnë urra pas një Goliku nga Tepelena që mallkon me iso Europën, megjithëse forca më vitale, 80% e krahut të punës, 40% e shoqërisë jetojnë e punojnë aty. Madje edhe djemtë a vajzat, nipojtë e mbesat e këtij Goliku duhet të jenë aty. Dhe duhet ta kenë emrin të listuar në Western Unionin, bankomatet e të cilit janë kompesimi i ekzistencës së shqiptarëve baballarë dhe atyre të papunë e kokëçarë nga koha e kanakarëve të gjoja progresit shqiptar. Baballarëve me pencione thërrime megjithëse pretenduan se ndërtuan socializmin me plane 3, 4, apo 5 vjeçare, duke marrë si investime fabrikat e mbaruara të Kinës dhe platformat e luftës së klasave nga Bashkimi Sovjetik. Ndërtuan bunker të cilësisë së parë për një armik imagjinar dhe për vete parafabrikate apo hekuradha me aksion, me urra, me pështyma mallkimi karshi Perëndimit etj. Por kurrë nuk mallkuan liderët e tyre të dështimit, ashtu sikur edhe sot kurrë nuk po mallkojnë liderët e rënies dhe shpërbërjes kombëtare, por Francës dhe yonjën e parë të saj.
Madje me indinjatë nuk durojnë t’u kujtosh edhe besimin e tyre oriental të cilin e aplikojnë më shumë për inat të njëri-tjetrit, e aplikojnë për të thënë se kanë besim, duke vënë në kandar deri ekzistencën e tyre si shqiptarë. Nuk futesh në Europë me mallkime zotërinj. Jemi demode në kuptimin e plotë të fjalës. Vetëm në kohën e Enver Hoxhës bëheshin gjyqet me udhëzimet e njëshit. Mirëpo në Shqipërinë tonë janë dënuar njerëz për inkuizicionin dhe ne kemi heshtur, kemi duartrokitur. Ashtu siç heshtim dhe pranojmë tani që në postet kyçe vendosim ish ministra të Ramiz Alisë dhe ju prisni që Franca t’jua a fali. Kur Gramoz Ruçi vriste djemtë e Shkodrës, Makroni i Francës admironte protestat e lirisë së këtyre djemve. Dhe ju prisni të thotë po…? Eshtë absurd social të mendosh se një emigrant shqiptar në Francë, për shkak të luftës brenda llojit, si Edi Rama. Jo një emigrant ekonomik dhe për liritë a të drejtat e njeriut etj., por një emigrant nga nomenklatura, vjen e bëhet kryeministër, premton reforma dhe këtej dërgon zëvendësin e tij në sallën e gjyqit për një nëpunës kadastre etj., pret t’ju çoj në Europë. Mos mallkoni Francën por shkoni dhe zbytheni nga zyra se po vazhduat kështu edhe 20 vjetë të tjera aty e keni. Janë ca fiasko sociale që fillojnë me tolerimet, ministër, kryetra bashkie, kryetar partie, kryeministër, ca fiasko që po ju shtypin përditë dhe ju ka kthyer në gagarelë të mallkimeve karshi Europës. Por është thjeshtë, më përpara se t’i kërkohet llogari tjetrit, përpiquni e t’ia kërkoni vetes dhe do ta kuptoni se ku qëndron marrëzia e mallkimeve. Bëjeni këtë për veten tuaj se nuk ka kush ta bëj për ju. Ky që quhet opozitar ka rënë në gjumë dhe ka për të qënë i tillë, gjumash edhe kur të qeverisi. Nuk ka opozitarizëm pa marrë parasysh deri sakrificën, madje opozitarizmi i vërtetë aty rron, aty fillon, aty sfidon. Kësisoj zbytheni një të pafytyrë se zbythjet pjellin ndryshimin dhe liderin që u duhet, jo këtë lloj soji shushunjë që veç llomotit e kuturisët si patat e Pigalit.