Mbledhja e BE, vendimi për negociatat në maj 2020?

Për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mund të vendoset në muajin maj, 2020. Mediat në Bruksel raportojnë se për shkak të qëndrimit të Francës kundër hapjes së negociatave me dy vendet, një variant që ka gjetur më shumë mbështetje është i shtyrjes së vendimit për të paktën 7 muaj.

Sipas medias Eur Actic në mbledhjen e krerëve të shteteve të BE po diskutohet që hapja e negociatave të shtyhet për në samitin e Ballkanit Perendimor që do të mbahet në muajin maj në Zagreb, Kroaci. Lajmi për shtyrjen është publikuar nga mediat e BE në orën 01:20.

Ndërkoha, me herët, debatet për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut kanë dominuar mbledhjen e drejtuesve të 28 shteteve të BE.

Mediat në Bruksel raportojnë se në tavolinë janë hedhur disa variante për të ndryshuar qëndrimin e Francës që është kundër hapjes së negociatave. Një variant është ai ndarjes së Shqipërisë dhe hapjes së negociatave vetëm me Maqedoninë e Veriut.  Ndërsa një tjetër ide e diskutuar është ajo e shtyrjes së vendimit deri në prill-maj 2020 për të dy vendet, derisa të realizohet kërkesa e Francës për reformimin e procesit.

Portali Eur Activ raporton se Italia ka refuzuar dhe ka vendosur veton për variantin e ndarjes së dy shteteve të Ballkani. Mësohet se kryeministri italian ka deklaruar se në rast të hapjes së negociatave pa Shqipërinë, Italia do të votojë kundër Maqedonisë së Veriut duke bllokuar procesin.