Ja kur mund të nisin sërish bisedimet e BE-së me Shqipërinë

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut mbeten edhe një herë në “klasë” për sa i takon çështjes së hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian. Këshilli Evropian publikoi edhe dokumentin ku thuhet se negociatat për këto dy vende nuk do të hapen as këtë vit.

Tashmë çështja e negociata do të diskutohet edhe një herë në maj të vitit 2020, deklaroi presidenti i këshillit Donald Tusk.

Në dokumentin zyrtar thuhet se Këshilli Evropian do të ulet të diskutojë edhe një herë për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut para samitit, BE-Ballkan Perëndimor që do të mbahet në Zagreb.

Franca ka pasur ndikimin më të madh në “JO”-në që u dha për këto dy vende. Edhe një herë presidenti francez, Emmanuel Macron, tregoi arsyet e mos hapjes se negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ai u shpreh:

Shqipëria po kalon në disa reforma të mëdha. Është bërë progres, por akoma nuk është plotësisht gati. Ka problem me emigrimin, diskutimi ishte i dobishëm veçanërisht për vizionin e Europës. BE nuk është duke punuar shumë mirë, ka disa probleme të brendshme, ka nevojë për reformim të brendshëm.”
Presidenti francez foli edhe për një reformim të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Nuk dihet akoma se çfarë nënkupton presidenti francez me reformim, por një gjë është e sigurt, vendi ynë nuk do ketë asgjë falas.

Nëse nuk përmbush kushtet atëherë negociatat mund të shtyhen sërish, të paktën këtë lanë të nënkuptohet krerët e shteteve më të fuqishme evropiane.