Inovacioni gjen pak mbështetje – Më se 6% e SME-ve marrin fonde publike

Më pak se 6% e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që investojnë në inovacion mbështeten me fonde publike. Institucioni që e ka mbështetur më shpesh këtë pakicë ndërmarrjesh nuk është qeveria shqiptare, por Bashkimi Europian, në 85% të rasteve. Instituti i Statistikave ka kryer vrojtimin e parë të inovacionit në këtë segment të ndërmarrjeve, që mbulon periudhën trevjeçare 2016-2018. Vrojtimi  i Instat mbuloi aktivitetet e prodhimit të produkteve optikë, elektronikë, kompjuterikë, telekomunikacionit, shërbimeve të teknologjisë së informacionit dhe aktivitetet e shërbimit të informacionit.

Të dhënat e anketimit kanë treguar se vetëm 47% e ndërmarrjeve janë treguar inovative, në kuptimin e gjenerimit të një produkti, procesi, metode organizimi apo marketingu, që ka qenë e re apo e përmirësuar dukshëm. Kjo përqindje e ndërmarrjeve që prodhojnë inovacion është relativisht e ulët, po të kemi parasysh se vrojtimi synon aktivitete ku inovacioni është pjesë e rëndësishme e suksesit të biznesit.

Sipas anketimit, 73.5% e ndërmarrjeve mendojnë se kostot e larta janë faktori kryesor që frenon inovacionin. Nga ana tjetër, edhe mbështetja e kufizuar me fonde sigurisht që nuk e nxit inovacionin mes ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Edhe për atë pakicë ndërmarrjesh që arrijnë të sigurojnë fonde për zhvillimin e inovacionit, qeveria është vetëm kontribuesi i dytë, pas Bashkimit Europian.

Një tipar tjetër i tregut në këtë aspekt është edhe niveli i ulët i bashkëpunimit në funksion të inovacionit. Bashkëpunimi në inovacion rezulton të jetë modest, ku më pak se 20% kanë bashkëpunuar me ndërmarrje të tjera, institucione dhe universitete për realizimin e aktiviteteve të inovacionit për periudhën 2016-2018.

SCAN