Dështimi me negociatat/ Rama fajëson Brukselin, Basha lajmëron konferencë për shtyp

Kryeministri Edi Rama dhe ministri në detyrën i Punëve të Jashtme, Gent Cakaj ndodhen në konferencë për mediat pas vendimit negativ të  Këshillit të Evropës për negociatat e Shqipërisë me BE. Lideret e BE nuk arritën një marrëveshje për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Pas 48 orë pa gjumë jemi këtu në fund të kësaj odiseje për të ndarë opinionin tonë. Kjo është një përplasje mes të mëdhenjve, s’ka lidhje me ne”, tha Rama.

“Nëse duam të shikojmë drejt e në sy të vërtetën është ajo që kam thënë prej disa kohësh duke e parë nga të gjitha kontaktet e diskutimet. Procesi po shkonte drejt një përplasje të qasjes mes Francës e Gjermanisë dhe një pjese të konsiderueshme të një fronti që ishte për një “PO””, deklaroi Rama.

Ai tha se presidenti i Francës Emannuele Macron foli sot shumë shkoqur sa i takon çështjes së integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa e lidhi arsyen me reformimin e BE.

Ndërkohë, selia blu njofton një konferencë të jashtëzakonshme të kryedemokratit LUlzim Basha i cili pritet të shpallë nisjen e aksionit për largimin e Edi Ramës nga drejtimi i Qeverisë.