Dështimi me negociatat, Bumçi: Kushtet kanë emrin “Edi Rama”

Ish-ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi, komenton vendimin dhe veçanërisht përgjegjësitë e politikës shqiptare. Sipas tij, ”Europa është treguar dashamirëse me shqiptarët, nuk mund të ankohemi ndaj Europës”.

”Kjo frymë anti-Europë që Edi Rama po i fut shqiptarëve është e paprecedentë, nuk e ka bërë asnjë kryeministër, të gjithë kanë thënë ”të bëjmë detyrat e shtëpisë”. Është i pari kryeministër apo president në 28 vjet që ka futur frymën e kërcënimit ndaj Europës, me radikalizmin religjioz, me bashkimin kombëtar, me Kinën dhe Rusinë. Ai po fsheh dështimin e tij personal, kushtet mbajnë emrin Edi Rama”,-tha në ”A2Cnn”.

Vendimi i kundërt i Francës sipas tij është një justifikim i Ramës, sepse edhe vetë vendimi i Bundestagut dhe kushtet e vëna përfaqësonin një dështim të tij. ”Bundestagu kishte si kusht që të hetohen dosjet e Durrësit dhe Dibrës. Është kjo akuzë për Edi Ramën? T’i kërkosh një vendi të ketë Gjykatë të Lartë dhe një Kushtetuese, kjo tregon sa të falimentuar jemi si vend”.