Dëmi që zyrtarët e BE po i bëjnë Shqipërisë, pas dështimit të negociatave

Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk ju hapën negociatat. Franca vendosi veton, posaçërisht kundër Shqipërisë dhe në këtë qëndrim kishte në krah, Holandën, Spanjën dhe Danimarkën. Arsyeja zyrtare është ajo e reformimit të procesit të zgjerimit të BE. Por veç deklaratave zyrtare, rezervat e këtyre vendeve nuk lidheshin me Maqedoninë e Veriut, por direkt me Maqedoninë. Presidenti i Francës Emanuel Macron kur fliste për reformën në BE përdoret si shembull azilantët nga Shqipëria. Holanda ka ankesa tashmë të njohura për krimin. Ndërsa Spanja shprehu pakënaqësinë për grupet kriminale. Më shumë se çështje reformimi, Këshilli i BE-së nuk mori vendim për shkak të kundërshtive që vendet kishin posaçërisht për Shqipërinë.

Ideja që BE nuk arriti konsensus për shkak të problemeve brenda saj është shumë e bukur për të qenë e vërtetë. Të gjitha ankesat ishin për Shqipërinë dhe çdo deklaratë se ne ishim në rregull, por fajin e ka Macron është miopia politike e radhës.

Qëndrimet e kreut të qeverisë për të justifikuar dështimin vetëm me Parisin janë, deri diku, të kuptueshme. Ajo që ngjan jo normale janë deklaratat e eurodeputetëve, ambasadorëve dhe zyrtarëve të tjerë të Brukselit. Të gjithë thonë se “Shqipëria i kishte realizuar kushtet dhe është turp i Francës që nuk votoi”. Qëndrime të tilla, edhe pse dashamirëse janë dëmi tjetër më i madh që po i bëhet Shqipërisë, pas dështimit me negociatat.

Nëse një burokrat në Bruksel thotë se Shqipëria ka bërë reformat, kjo është varka e shpëtimit për Edi Ramën. Kjo do të thotë se Edi Rama do të vazhdojë të qeverisë po kaq keq, do të vazhdojë të shkatërrojë institucionet , do të ndjerë nga sistemi opozitën dhe do të zhbëjë institucionet dhe parimet demokratike.

Shqipëria ka probleme dhe këto nuk duhet të presim t’i dëgjojmë nga Macron apo nga Angela Merkel. Prej dy vitesh s’kemi gjykata. Në 30 qershor bëmë zgjedhje moniste. Parlamenti ka rënë si institucion dhe çdo ditë arrestohen protestues. Vetëm votimet moniste të 30 qershorit mjaftojnë për këdo në BE që të mos e imagjinojë Shqipërinë si vend kandidat. Franca ka problem ailzntët dhe atë përmendi disa herë, por Holanda ka ankesa për krimin dhe trafiqet e dogës dhe këto janë arsye të tjera që tregojnë se Shqipërinë nuk është në rrugën e duhur.

Ndaj, burokratët e BE, shumica e tyre janë në ikje pasi u ka mbaruar mandati, me mbështetjen që po i japin Edi Ramës justifikojnë mandatin 4 vjeçar. Por, në real politikën shqiptare, ata vetëm sa po thellojnë edhe më shumë krizën. Me qëndrimet e tyre, se gjasme Shqipëria ka bërë reforma të suksesshme, po i japin më shumë argumente qeverisë të vazhdojë në rrugën pa krye dhe krizën që ka kapur vendin.

Sot shqiptarët kanë nevojë të dinë ca të vërteta të thjeshta. Negociatat nuk ju hapën qeverisë “Rama” për shkak të keqqeverisjes dhe krizës së rëndë politike që ka Shqipëria. Është koha t’i kërkohet llogari qeverisë për të mos humbur stacionin e radhës. Sepse me idenë që jeni mirë, por s’do Franca nuk mund të ecet shumë gjatë. Kriza edhe në pikën që është ka dëmtuar themelet e shtetit, për këtë nuk e ka fajin Franca dhe as Holanda.

Sot nuk ka nevojë për mburrje dhe duartrokitje. Shqipëria dështoi dhe zyrtarët e BE duhet të thonë se deri ku është faji për kokfortësinë e Macron dhe ku janë mëkatet e qeverisë “Rama”. Qëndrimit të Macron nuk kemi çfarë t’i bëjmë, po problemet në Tiranë me qeverinë duan zgjidhje urgjente.