Reja: Shpresoj që UEFA të dënojë Turqinë, për Manajn më thanë është gjaknxehtë

Trajneri italian i kombëtares shqiptare, Edoardo Reja, ka dhënë së fundmi një intervistë për  “Radio Sportiva”, ku analizoi edhe festimet ushtarake të Turqisë, duke shpresuar se UEFA do të veprojë.

 

“Ishte keq për ne në Turqi, sepse e kemi humbur ndeshjen në minutën e 90-të për një shkak të pakuptimtë, por vërtetuam se jemi ekip i aftë të garojmë me të gjithë. Ne po rritemi. Shqipëria është një ekip kombëtar, që ka disa kufij, por grupi funksionon dhe kemi konsensus të madh nga ana e publikut.

Turqia u pa se festoi në rresht, me përshëndetje ushtarake. Ne u çuditëm pak, sepse janë gjeste që nuk lejohen në fushat e futbollit. Por, përkundrazi, ata e përsëritën atë mënyrë festimi edhe ndaj Francës. Shpresoj që UEFA të ndërmarrë sanksione kundër Turqisë, mbase do të na rikthejë edhe ne në betejën për kualifikim. Sidoqoftë, pavarësisht shpresave egoiste, mendoj se Turqia do ta kalojë me një gjobë të mundshme.

Mbi Strakoshën duhet të bëj vlerësime. Kemi edhe Berishën, kështu që jemi shumë të mbuluar në portë. Është e vështirë të bësh zgjedhje, i kam aktivizuar të dy, por në fund të këtij cikli eliminator do të bëjmë vlerësimet e duhura.

Manaj po kthehet. Atje më thanë se ishte pak gjaknxehtë, por po vërej një përpjekje të madhe prej tij në stërvitje dhe ndeshje, ndaj u çudita. I kërkoj të sakrifikojë në fushë dhe e bën këtë vazhdimisht, kështu që jam i lumtur. Shpresojmë të vazhdojë kështu dhe të piqet, sepse është vetëm 22 vjeç”, deklaroi strategu italian.